Lajme
Krifca për “Ballkanin e Hapur”: Rritja e ndërveprimit ekonomik mes tre vendeve u rrit me 70 për qind
Demokracia
14:03 | 08 Qershor 2022

Share:

Nga samiti i Ohrit, ministrja e Bujqësisë në Shqipëri, Frida Krifca, iu referua marrëveshjes së nënshkruar me ministrat respektivë të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për implementimin e saj.

Sipas ministres, në 4 muajt e parë, eksportet janë rritur me 70 për qind, i cili në vlera përkthehet nga 33 milionë euro në vitin e kaluar, në 57 milionë.

“Në diskutimin që kemi pasur dje në vigjilje të samitit, ne ministrat e Bujqësisë të Maqedonisë dhe Serbisë, bëmë një skaner të ecurisë së marrëveshjes të lidhur në Tiranë në Dhjetor të vitit të kaluar ku pamë si ka qenë procesi i implementimit, i zbatimit të marrëveshjes që ne kemi shkruar me ta. Më vjen shumë mirë në fakt të konstatoj 4 muajt e parë të eksporteve të prodhimeve bujqësore agroushqimore për tre vendet ne kemi një rritje të ndërveprimit mes tyre prej 70% në volume. Jemi në një vit i cili ka pasur problematika për shkak të luftës në Ukrainë dhe përpos kësaj ne kemi një rritje të ndërveprimit ekonomik i cili përkthehet nga 33 milionë euro që ka qenë në vitin e kaluar në të njëjtën periudhë në 57 milionë Euro. Është një shifër konkrete që flet vetë për ecurinë pozitive të ndërveprimit dhe shkëmbimit ekonomik mes këtyre vendeve”.

“Shqipëria ka një rritje në eksporte të prodhimeve bujqësore në 63% ndaj Serbisë dhe 8% ndaj RMV, çka flet që të gjitha këto parashikime që kemi pasur në këtë marrëveshje me të gjitha vendet që kanë të bëjnë me lehtësirat në pikat kufitare, me njohjen e certifikatave veterinare fitosanitare, lejojnë dhe mundësojnë zjerim dhe një mirëqenie ekonomike më të lartë për fermerët tanë” tha ajo.

Për sa i përket lehtësimit të procedurave për certifikatat dhe konkretizimin e projektit, ministrja tha se në rast problematikash, adresimi kryhet në kohë reale për të mos krijuar bllokime në doganë

“Ne kemi nënshkruar marrëveshjen në 21 Dhjetor të vitit të kaluar. Kemi ngritur një sistem monitorimi dhe tashmë kemi çuar rreth 37 dokumenta teknikë, plane të monitorimit të mbetjeve për sa i përket certifikatave veterinare, për certifikata fitosanitare, shëndetësore për të gjitha produktet bujqësore. Dhe kryejmë një paranjoftim për çdo ngarkesë që kalon në kufi mes këtyre dy vendeve, çka lehtëson të gjithë ndërveprimin, shkëmbimin, lëvizjen e lirë mes bizneseve shqiptare dhe atyre maqedonase e serbe. Aty ku ka problematika kemi një red flag, i adresojmë këto problematika në kohë reale, gjithë ideja është që malli mos të bllokohet në doganë, të shkojë për inspektim fitosanitar apo shëndetësor në doganën më të afërt duke bërë të mundur kështu të mos krijojmë barriera, të çlirojmë energji, të mos humbasim kohë të vlefshme dhe të nxisim një bashkëpunim ekonomik më të madh”.

Pyetjes a është Shqipëria më indiferente ndaj eksporteve sepse Serbia është eksportuesi më i madh, ministrja iu përgjigj se nuk mund të krahasohemi me askënd tjetër veç vetes, ndërsa shtoi se nisma “Open Balkan” është e duhura për në BE.

Frida Krifca: Ne nuk duhet të harrojmë që kjo nismë e ka iniciativën nga dhomat e tregtisë, nga bizneset. Biznesi ka kërkuar që ne të ulim barrierat, të rrëzojmë kufijtë administrativë, procedurial mes këtyre vendeve. Ajo çka mua më vjen shumë mirë sot të konstatoj, e thënë nga fjalët e komisionarit Varhelyi, është që nëse kjo nismë na ndihmon drejt integrimit në BE, atëherë është e duhura, po ndjekim rrugën e duhur, po ndjekim një proces që thjesht harmonizon atë çka ne duhet të bëjmë me integrimin në BE. Marrëveshja që ne kemi shkruar me ministrat e Bujqësisë së këtyre dy vendeve bën pikërisht këtë: ne njohim planet e monitorimit, institucionet e këtyre vendeve, çka do të jetë rruga që do të bëjnë vendet e BE në raport me Shqipërinë në momentin që ne do të fillojmë negociatat. E kemi nisur këtë proces me dy vende ndërkohë që do të vijojmë ta nisim këtë proces me hapjen e negociatave me vendet e BE. Formati, formula, mënyra proceduriale është e njëjta, është një ushtrim edhe për administratat tona respektive në këtë drejtim.

Duke ritheksuar ndikimin pozitiv, Krifca kujtoi se “Open Balkan” u bë shkak që Serbia kontribuoi në mbulimin ne nivel 40% të nevojave të Shqipërisë për grurë, në një kohë kur mbylli eksportet për vendet e tjera./tvklan

Të ngjashme