Lajme
Kreu i pensionistëve: 100 € nuk na mjaftojnë as një javë, Qeveria na dha premtime të rrejshme
Demokracia
11:58 | 26 Maj 2023

Share:

Ngritja e çmimeve te produktet ushqimore në Kosovë që një kohë të gjatë po vazhdon të jetë problem për qytetarët kosovar.

Nga kjo ngritje e çmimeve po pësojnë të gjitha shtresat e shoqërisë, por në veçanti pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.

Kjo pasi që, ndihma që marrin nga shteti nuk iu mjafton as për gjëra elementare.

Nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 143.522 përfitues ndërsa nga skema e pensioneve kontribut paguese të moshës janë 46 mijë e 625 përfitues.

Prishtina është komuna me më së shumti përfitues të pensioneve bazike me gjithsej 15 mijë e 636 qytetarë.

Ndërsa komuna e dytë është Prizreni me 13 mijë e 73 përfitues.

Pensioni minimal i rregullt mujor të paguar për të gjithë qytetarët e Kosovës, që kanë mbushur moshën 65 vjeçare, pa marrë parasysh, a kanë qenë të punësuar apo jo është 100 €.

Kjo shumë nuk po ju mjafton aspak, sipas kryetarit të Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi.

Gashi po thotë për Front Online se 100 € as një javë nuk po mjaftojnë.

Ai thotë se as barna nuk po kanë mundësi të blejnë kjo kategori e qytetarëve.

“Pensionet që i kanë tani nuk janë të mjaftueshme as për 1 javë ditë me këto pensione nuk kanë me ble as barna e as ushqim”, u shpreh Gashi.

Për rritjen e pensioneve, Gashi tha se shpresat kanë humbur tek Ministria e Financave.

Ai thotë se nga MF-ja vetëm premtime të rrejshme kanë marrë.

“Krejt çka kanë premtuar deri tash janë veç premtime të rrejshme dhe inshallah e mbajnë fjalën ndonjëherë për pensionistët. Deri tash faktet janë që nuk e mbajnë fjalën”, thotë Gashi.

Pension kontribut pagues i moshës – është pensioni i rregullt mujor për qytetarët e punësuar në Republikës e Kosovës, të cilët i kanë paguar kontributet, në ish-Fondin Pensional të Kosovës para datës 01.01.1999.

Shuma e pensionit kontribut pagues të moshës nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit si në vijim:

Kategoria e parë-pensionist i pa arsimuar ose me arsim fillor – shuma e pensionit është 182 euro;

Kategoria e dytë – pensionist me arsim të mesëm- shuma e pensionit është 198 euro;

Kategoria e tretë –pensionist me arsim të lartë – shuma e pensionit është 214 euro;

Kategoria e katër –pensionist me arsim universitar- shuma e pensionit është 265 euro.

Ndryshe, nga të dhënat e Trading Economics, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.

Të ngjashme