Lajme
Krerët e tre partive kryesore të paditur në SPAK, për kë ishte paralajmërimi i Krajës?
Demokracia
11:41 | 24 Shtator 2022

Share:

Kreu i SPAK, Arben Kraja paralajmëroi dje rezultate për hetime shumë të rëndësishme që janë në vijim nga Prokuroria e Posaçme.

“SPAK është tani e konsoliduar si strukturë dhe është në një fazë delikate që të kapërcejë problemet e fillimit dhe të japë produktin e nevojshëm. Situata është që të gjithë janë tepër intensivë dhe aktivë në ushtrimin e detyrës. Kemi shumë hetime të rëndësishme në vijim për pastrimin e parave, korrupsionin dhe tani është momenti të ecim përpara. Niveli që kemi arritur në bashkëpunim është rritur në mënyrë të vazhdueshme. Kemi 20 skuadra të përbashkëta hetimore që kryejnë hetime me vendet e BE-së”, tha Kraja.

“Vendi ynë ndodhet në një fazë shumë të rëndësishme që ka të bëjë me integrimin në BE. Edhe institucionet e zbatimit të ligjit kanë një rol shumë të rëndësishëm se jemi në një stad pak më të lartë. Do kërkohet edhe produkt, jo thjeshtë të kemi institucione. Duke përfshirë edhe situatën e kriminalitetit që ndodhet në Shqipëri që kërkon një reagim të fuqishëm të zbatimit të ligjit”, tha Kraja në një tryezë me përfaqësues të Bashkimit Europian dhe institucioneve të Drejtësisë në vend.

Kujtojmë se në SPAK aktualisht janë të paditur krerët e tre partive politike kryesore. Paditë janë depozituar nga opozita e cila akuzon mazhorancën dhe anasjelltas.

Kreu i qeverisë, Edi Rama është kallëzuar për çështjen e inceneratorëve të cilën opozitarët e cilësojnë si aferën e shekullit.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta është nën hetim për 3 kallëzime penale. Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin e 3-të penal për ish-Presidentin në bazë të kallëzimit të bërë nga avokati Idajet Beqiri për disa vepra penale mes të cilave korrupsioni, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë. Kallëzimi i fundit kishte në fokus trajtimet estetike, që sipas denoncuesit, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë kryer në spitale jashtë vendit në San Marino dhe Vjenë. SPAK më herët ka deklaruar se në bazë të dy kallëzimeve të tjera për ish-Presidentin, ka regjistruar edhe dy hetime te tjera penale për fshehje të pasurisë.

Një situatë e ngjashme është edhe për kryedemokratin Sali Berisha. Ai është paditur nga Partia Socialiste për privatizimin e ish-kompleksit Partizani. Ish-kryeministri është lakuar se fundmi në listën e personave që do të merren në pyetje nga SPAK për hetimin në lidhje me këtë padi.

Të ngjashme