Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov komentoi sot deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden, i cili gjatë vizitës së tij në Varshavë e quajti Putinin “xhelat” dhe tha se “nuk mund të qëndrojë në pushtet”.
Peskov tha se “fyerje të tilla personale kundër Presidentit Putin ngushtojnë mundësinë për të përmirësuar marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit”, transmeton Demokracia.com,
“Kreu i shtetit duhet të jetë në gjendje të përmbahet. Fyerje të tilla personale ngushtojnë hapësirën për marrëdhëniet tona dypalëshe nën administratën aktuale të SHBA. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, tha Peskov për agjencinë shtetërore ruse TASS.
“Në fund të fundit, ky është një njeri që dikur kërkoi, duke folur në televizion, që Jugosllavia/Serbia të bombardohej. Saktë është e drejtë, bombardimi i Jugosllavisë. Ai kërkoi vrasjen e njerëzve,” tha Peskov.
Ai e kishte fjalën për bombardimin e Serbisë nga NATO-ja për të ndalur gjenocidin ndaj Kosovës.
Presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden gjatë paraqitjes në Senat në vitin 1999, kishte thënë: “Unë kam sugjeruar që të bombardohet Beogradi, unë kam sugjeruar që t’i dërgojmë pilotët amerikanë atje dhe t’i bombardojnë urat në Danub”, shkruan Demokracia.com.
Kujtojmë, Biden iu drejtua polakëve sot para Pallatit Mbretëror në Varshavë. Ai tha se refuzoi të besonte se njerëzit e zakonshëm në Rusi mbështesin pushtimin e Ukrainës, duke shtuar se “rusët nuk janë armiqtë tanë”.
“Më lejoni të them këtë, nëse mund të më dëgjoni fare – ju, populli rus, nuk jeni armiqtë tanë. Unë refuzoj të besoj se ju e pranoni vdekjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm pa asnjë problem ose se pranoni që spitalet, shkollat, maternitetet të granatohen nga raketat dhe bombat ruse”, tha Biden, duke iu drejtuar drejtpërdrejt rusëve. /Demokracia.com/