Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “operacioni special” i kryer nga Rusia në Ukrainë “mund të përfundojë në të ardhmen e afërt”. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse Interfax. “Operacioni vazhdon, objektivat janë drejt arritjes. Një punë thelbësore është duke u zhvilluar si përmes ushtrisë për sa i përket ecurisë së operacionit, ashtu edhe përmes negociatorëve që janë të angazhuar në procesin e negociatave me homologët ukrainas. Për sa i përket kohës, zëdhënësi i Kremlinit, i cili dje nuk përjashtoi përfundimin e “operacionit special” së shpejti, bëri të qartë se “po flasim për të ardhmen e afërt”.
Sipas ministrisë ruse të Mbrojtjes, sulmi në stacionin Kramatorsk u krye nga një divizion raketor i forcave ukrainase nga zona e qytetit të Dobropilja, 45 km në jugperëndim të Kramatorsk, sipas asaj që raporton Tass.
Ministria e Mbrojtjes tërhoqi vëmendjen për faktin se fotografitë e shpërndara nga Kievi tregojnë pajisje që nuk i përkasin Rusisë.
“Kramatorsku ishte vetëm stacioni i zakonshëm hekurudhor në Ukrainën lindore ku njerëzit ishin mbledhur për të pritur evakuimin. Kështu i mbron Rusia rusishtfolësit në Ukrainën lindore?”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një video-mesazh drejtuar parlamentit finlandez.
“A mund të shpjegojë dikush pse Rusia ka nevojë për këtë luftë? Pse qëlloni civilët me raketa? Pse kjo mizori?, pyeti Zelensky.