Qëllimi kryesor i operacionit special ushtarak, siç e quan Moska pushtimin e Ukrainës, është “shkatërrimi i batalioneve nacionaliste në Ukrainë”, tha sot zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.
“Qëllimi kryesor është çlirimi i Ukrainës nga batalionet nacionaliste. Operacioni vazhdon, detyrat e përcaktuara dihen mirë. Ato duhet të bëhen dhe do të bëhen, nuk ka dyshim për këtë”, tha Peskov, përcjellë Demokracia.com.
Ai shtoi se “një jetë paqësore tashmë po krijohet në zonat ku militantët nuk marrin civilë peng dhe nuk qëllojnë shtëpitë”.
“Sa i përket vendeve ku batalionet nacionaliste bëjnë gjëra të tilla, po zhvillohen beteja të ashpra. Ato do të shkatërrohen”, tha Peskov.
Kjo është hera e parë që Kremlini njofton se qëllimi kryesor i luftës në Ukrainë është “shkatërrimi i batalioneve nacionaliste”.
Kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi nisjen e pushtimit, ai tha se qëllimet kryesore ishin “çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës”, dhe më pas Kremlini, kur u bë e qartë se forcat ruse u mundën pranë Kievit dhe u detyruan të tërhiqeshin, njoftoi se qëllimi kryesor i luftës është “çlirimi i Donbassit”, një zonë në Ukrainën lindore ku ndodhen dy rajone separatiste pro-ruse, Donetsk dhe Luhansk. /Demokracia.com/