Lajme
Kremlini e falë “vëlla” Vuçiqin, Serbia s’do të paguajë me rubla për gazin rus
Demokracia
17:14 | 24 Mars 2022

Share:

Shqetësimet e Serbisë do të jenë një prioritet për Rusinë, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Peskov ka komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se vendimi i Rusisë për të paguar gazin në rubla do t’i krijojë shumë probleme të reja Serbisë.

“Kjo është krejt normale, ka të drejtë, mund të jetë vërtetë një situatë problematike, sepse në këtë rast Bullgaria ka ndërmarrë hapa armiqësorë ndaj nesh, prandaj do të duhet të paguajë në rubla, deshe apo jo. Por në të njëjtën kohë kjo nuk vlen për Serbinë. Është një problem që duhet zgjidhur. Sigurisht, shqetësimet e Serbisë do të jenë prioriteti ynë parësor”, tha Peskov, duke iu përgjigjur një pyetjeje se si e sheh Kremlini deklaratat e Vuçiqit, transmeton Demokracia.com.

Kujtojmë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka marrë vendimin që vendet “armike” të Rusisë të paguajnë gazin në rubla në të ardhmen.

Siç tha ai, “nuk ka kuptim që Rusia të furnizojë me produktet e saj BE-në dhe SHBA-në dhe të marrë pagesa në dollarë, euro dhe monedha të tjera”.

Presidenti rus urdhëroi Gazprom të transferonte kontratat në rubla.

Ai tha se Rusia do të vazhdojë të furnizojë me gaz në përputhje me sasitë dhe çmimet e dakorduara.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se rritja e çmimit të naftës dhe gazit, si pasojë e vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të paguar gazin në rubla, është një problem i madh për të gjithë botën. /Demokracia.com/

Të ngjashme