Lajme
Kremlini ‘anulon’ luftën më 9 Maj – Kisha ruse: Papa keqinterpretoi bisedën me Kirill
Demokracia
15:40 | 04 Maj 2022

Share:

Rusia nuk ka ndërmend t’i shpallë zyrtarisht luftë Ukrainës dhe rrjedhimisht mobilizim të përgjithshëm me rastin e përvjetorit të 9 Majit, dita e fitores ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.

Kështu u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cili shtoi: “Ne nuk shohim ndonjë përparim në bisedimet me Ukrainën,” shtoi ai.

Kremlini nuk zbulon ndryshime në situatën në “Azovstal” në Mariupol, por regjistron përpjekje periodike nga luftëtarët ukrainas të strehuar në uzinë për të hapur zjarr, sqaroi Peskov.

Ai kujtoi se vetë presidenti Putin “ka lëshuar publikisht një urdhër për të anuluar sulmin”.

Peskov theksoi se nuk ka marrëveshje për një takim mes presidentit Putin dhe Papa Françeskut.

I cituar nga agjencia “Ria Novosti”, zëdhënësi i Kremlinit shtoi se nisma të tilla duhet të kalojnë përmes shërbimeve diplomatike.

Në fillim të kësaj jave, Papa kishte shprehur gatishmërinë e tij për të shkuar në Moskë për të takuar Putinin dhe për të dhënë një kontribut për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë.

Ndërkohë, Kisha Ortodokse Ruse pretendon se Papa Françesku, “e keqinterpretoi bisedën e tij me Patriarkun Kirill”, raporton Tass.

“Na vjen keq që një muaj e gjysmë pas intervistës me Patriarkun Kirill, Papa Françesku ka zgjedhur tonin e gabuar për të raportuar përmbajtjen e kësaj bisede”, thuhet në deklaratën e Departamentit për Marrëdhëniet e Jashtme Kishtare të Kishës Ortodokse Ruse.

“Nuk ka gjasa që deklaratat e Papës”, në lidhje me bisedën e tij me Patriarkun Kirill “do të kontribuojnë në vendosjen e një dialogu konstruktiv midis Kishës Katolike Romane dhe Kishës Ortodokse Ruse, në këtë moment veçanërisht të nevojshëm”, vazhdon shënimi./Gazeta Si

Të ngjashme