Lajme
Krejt Kosova sytë kah veriu e Vjosa Osmani merret me dizajnimin e uebfaqes, i jep 20 mijë euro
Demokracia
19:06 | 07 Nëntor 2022

Share:

Zyra e presidentes Vjosa Osmani ka vendosur që të bëjë një investim prej 20 mijë eurosh për dizajnimin e uebfaqes zyrtare të Presidencës. Për këtë shërbim është hapur edhe një tender, në të cilin janë treguar detaje për punën që do të bëhet.

Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës, përfshirë edhe largimet e serbëve nga institucionet, kanë nxitur edhe reagimin e ndërkombëtarëve. Përveç BE-së, SHBA-së dhe shteteve veç e veç, kanë reaguar edhe shtetet e rajonit.

Pak si më në heshtje e me reagime të mangëta këtë situatë po e përcjell edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan Demokracia.com.

Heshtjen e shefes së shtetit e ka “thyer pak” zyra e saj, jo duke reaguar për veriun, por duke u marrë me rregullimin e imazhit.

Zyra e Vjosa Osmanit ka hapur një tender për mirëmbajtjen dhe dizajnimin e uebfaqes zyrtare të Presidencës.

Në njoftimin e shpallur në e-prokurim është treguar se për këtë punë do të shpenzohen 20 mijë euro.

“Shërbime të mirëmbajtjes dhe dizajnimin e Webfaqes zyrtare të Presidencës dhe mirëmbajtjen e Webfaqes së Këshillit Konsultativ për Komunitete. Vlera e parashikuar e kontratës: 19,900.00. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve është data 28.11.2022”, thuhet në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Në dosjen e tenderit është thënë se përveç dizajnimit të uebfaqes, kompania fituese do të merret edhe me botimin e lajmeve. Po ashtu është thënë se duhet të bëhet transferimi i të gjitha materialeve/artikujve/përmbajtjes nga dizajni aktual në dizajnin e ri.

“Krijimi i konceptit të ridizajnimit të uebfaqes së Presidencës (së paku 3 mostra). Transferimi i të gjitha materialeve/artikujve/përmbajtjes nga dizajni aktual në dizajnin e ri, si dhe të sigurohet që çdo informatë të bartet në mënyrë të suksesshme paprekur në përmbajtje. Ofrimin e ndihmës për publikimin e komunikatave, lajmeve, njoftimeve dhe shpalljeve të tjera. Krijimin e rubrikave dhe nën-rubrikave (të pakufizuara) brenda uebfaqes sipas kërkesës. Krijimi i modulit enkas për publikimin e vendimeve dhe dokumenteve tjera me interes, si dhe përmbajtjeve audiovizuale. Domain sipas kërkesës së Presidencës së Republikës, por pa kufizime në hapësirën gb”.

Janë dhënë edhe specifikat për mirëmbajtjen e uebfaqeve.

“Mirëmbajtja e uebfaqes aktuale derisa të dizajnohet dhe të funksionalizohet uebfaqja. Inkorporimi i rrjeteve sociale në uebfaqe (Facebook, Twitter, etj.), saktësisht në menynë e ballinës së uebfaqes; Bashkimi/lidhja/koordinimi i rrjeteve sociale me uebfaqe dhe anasjelltas. Të jenë të gatshëm në çdo kohë 24/7, varësisht nga kërkesa. Sigurimi i uebfaqes nga sulmet. Backup (ruajtje) ditore të bazave të të dhënave dhe i fajllave/dosjeve përcjellëse”.

Zyra e Presidentes ka kërkuar që mbajtja e përditësuar duhet të jetë me praktikat më të mira të industrisë dhe monitorimi i faqeve të internetit të konkurrentëve./Demokracia.com/

Të ngjashme