Lajme
Krejt çka dihet deri më tani për tentimvrasjen ndaj drejtorit të “Agro Holding Kosova”
Demokracia
23:38 | 24 Maj 2022

Share:

Drejtori menaxhues i “Agro Holding Kosova”, Bekim Krasniqi, pretendon se ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së tij në Shirokë të Suharekës.

Ai për Klankosova ka thënë se ka parë disa persona të panjohur në afërsi të shtëpisë së tij dhe një prej tyre ka shtënë me armë zjarri.

“Para një ore, në shtëpinë time ka pasur të shtëna me armë zjarri. Unë i kam larguar familjen dhe i kam futur brenda dhe kam dalë vetë për ta parë. E kam parë një person që ka gjuajtur me armë zjarri. Nuk e di se kush kanë qenë këta persona. Rastin e kam lajmëruar në polici dhe e kam dhënë deklaratën time”.

Ai e përmend edhe faktin se është drejtor menaxhues i “Agro Holding Kosova”, i deleguar nga AKP-ja, që e mori këtë kompani nën menaxhim e me çka nuk ishin pajtuar drejtuesit e kompanisë.

“Ju e dini se çështja e ndërmarrjes ‘Agro Kosova’ ka qenë bërë mediatike. Kjo ndërmarrje është nën menaxhimin e AKP-së dhe unë jam deleguar nga AKP-ja si drejtor menaxhues”.

Ndërkohë, Krasniqi thotë se e ka lajmëruar policinë dhe të njëjtit kanë shkuar në shtëpinë e tij.

Lajmin për Demokracia.com e ka konfirmuar drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Faton Alija.

“Rreth orës 21:19 Bekim Krasniqi, drejtor i Agrokosova Holdin në Suharekë ka informuar se ka gjuajtje me armë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shirokë, të Komunës së Suharekës. Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e saj. Rastin e ka lajmëruar vetë drejtori i ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, Bekim Krasniqi, ku ai sa kishte qenë në ballkonin e shtëpisë së tij, disa persona ende të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij”, ka konfirmuar Alija.

Ai ka shtuar se edhe prokuroria ka dal në vendin e ngjarjes.

“Prokuroria gjithashtu ka dal në vendin e ngjarjes së bashku më Policinë e Kosovës dhe po i kryejnë ekzaminimet e duhura. Nuk raportohet për të lënduar”, ka shtuar Alija./Demokracia.com/

LAJMI I FUNDIT| Policia jep detaje për tentim-vrasjen e drejtorit të ‘AgroKosova Holding’, Bekim Krasniqi

Të ngjashme