Lajme
Kredia për skemat sociale sërish përplasë LVV-në dhe LDK-në
Demokracia
15:25 | 06 Prill 2022

Share:

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare. Dy prej tyre kanë të bëjnë me marrjen e një kredie për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës në vlerë rreth 38 milionë euro, ndërsa e treta, kredia 47 milionë euro për reformimin e skemave sociale, marrëveshje kjo e cila u rrëzua muaj më parë në Kuvend.  Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës sërish e kundërshtoi të njëjtën, ndërsa deputetët e partisë opozitare të PDK-së u përmbajtën nga votimi në komision.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se për shkak të rëndësisë së reformave në skemën sociale, kredia 47 milionëshe është rikthyer sërish për miratim.

“Kjo po bëhet me qëllim të targetimit të politikave sociale dhe asistencave sociale drejt familjeve në nevojë. Vlera totale e projektit pritet të kap shumën deri në 47 milionë euro dhe t’i mundësojë qeverisë të përmirësojë efikasitetin e sistemit të asistencës sociale, ku përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë familjet që janë në nevojë, po ashtu edhe shpenzimet e qeverisë që shkojnë drejtë këtyre familjeve”, tha ai.

Mirëpo, sërish kritik ndaj kësaj kredie u shpreh, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

“Kurrë asnjë herë në historinë 22 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk ka ardhur ndonjë marrëveshje me kërku kredi për ndihma sociale. Çfarë qeverie pretendojmë, çfarë shteti mendojmë me qenë nëse ne nuk mundemi t’i paguajmë ndihmat sociale. Çfarë ministri i Financave je kur lëvdohesh publikisht për pozicion të mirë fiskal për shkak të rritjes së të hyrave dhe kërkon 15 milionë kredi me përmirësuar bilancin bankar”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, deputeti i PDK-së, Ferat Shala kërkoi nga ministri Murati që kreditë e buta mos të ridestinohen në projekte të tjera. Ai ngriti dyshime edhe për manipulime të një kredie të butë dhe ridestinimin e mjeteve në projekte kulturore-artistike në Dubai.

“Jemi dëshmitar se kredia ridestinohet pa kaluar prapë në Kuvend në mes dy ministrave. Mjetet e destinuara për projektet zhvillimore, siç janë Agjencia KIESA dhe Agjencia e Metrologjisë dalin se kanë shkuar në institucione krejt tjera. Një pjesë e tyre po thuhet se kanë shkuar tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa një pjesë e tyre tek kompanitë konsulte, mbi 200-300 mijë euro dhe një pjesë prapë e kredisë së butë shkojnë në Dubai ku paguhen asambletë kulturo-artistike, toner dhe paguhet një piano katër mijë euro ora. Cili është mekanizmi i sigurisë institucionale që kreditë e buta që ratifikohen në Kuvend të mos ridenstinohen”, tha ai.

Sqarime për çdo dyshim të tillë kërkoi edhe kryetari i Komisionit, Armend Muja, mirëpo tha se kjo duhet të bëhet në një mbledhje tjetër.

“Në rast se është për ty shqetësim edhe për mua është shqetësim. Ta ftojmë në një mbledhje të veçantë dhe të shohim kur ka ndodh dhe pse ka ndodhur kjo. Nuk jam unë kundër asaj çka po thoni ju, por temë e diskutimit nuk është kuadër të agjendës kjo”, tha ai.

Krahas këtyre, Komisioni miratoi edhe plotësim-ndryshimet në Projektligjin për themelimin e fondit për garanci kreditore.

Të ngjashme