Lajme
“Kravatat janë për polikanët qurana” | Albin Kurti i fiksuar pas kravatës, nuk e heq as kur e përvëlon dielli
Demokracia
09:45 | 15 Qershor 2024

Share:

Në takime zyrtare, në ditët me shi apo kur të përvëlon dielli, në ngjarje serioze apo sportive, të enjten e seancave të Kuvendit apo vikendeve, në palestra sportive apo edhe duke përuruar urën dy metërshe të Saradranit, Albin Kurti nuk di ta heq kravatën.

Njeriu që për vite të tëra e konsideronte kravatën si simbol borgjezie, të njerëzve të pasur apo edhe zyrtarëve të korruptuar, është lidhur pazgjidhshmërisht me këtë rrip pëlhure të hollë e të gjatë, shkruan Demokracia.com.

Kurti ka rënë në rrjetën e fushatës denigruese që me partinë e tij e kishte ndërtuar për kundërshtarët politikë dhe ajo po e shoqëron në çdo hap që hedh, ashtu siç nuk po mund të ndahet asnjëherë nga e kaluara e tij politike edhe për temat me interes kombëtar, të cilat i kundërshtonte fuqishëm.

“Nuk e festojmë pavarësinë”, “20 vjeçari shkatërrimtar” | Albin Kurti në betejë me të kaluarën e tij kundër lirisë dhe shtetit të Kosovës

Duket e çuditshme, por përbaltja për një kohë të gjatë e kravatës, ka sjellur pasoja serioze në personalitetin e Kurtit deri aty sa ai nuk do ta largonte atë as më 7 maj 2020 kur si kryeministër në detyrë shkoi për të dhuruar gjak në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë.

https://www.facebook.com/KlanKosovaOfficial1/videos/1149026735450820/

Kryeministri Kurti u pa me kravatë edhe në një fushë futbolli dje me 14 qershor, ani pse kjo ishte ngjarje pa kurrfarë karakteri zyrtar dhe për më tepër, temperaturat ishin të larta dhe moti më diell të përvëlonte.

Që nga themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2006, Kurti dhe përgjithësisht përfaqësuesit e kësaj partie, kanë shmangur përdorimin e kravatës në çfarëdo ngjarje. Madje, Kurti dhe bashkëpartiakët e tij nuk kanë pranuar ta përdorin atë as kur u bënë për herë të parë deputetë në vitin 2010.

FUSHATA DENIGRUESE E VETËVENDOSJES KUNDËR POLITIKANËVE ME KRAVATË

Për veshjen me kravatë, Albin Kurti në vitin 2011 kishte thënë se “kjo veshje është kthyer në një uniformitet, veshje përjashtuese dhe formë shtypjeje”.

Vetëm një vit para zgjedhjeve paralamentare të dhjetorit të vitit 2010, Kurti dhe Vetëvendosje u bënin thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos votonin në zgjedhjet për nivelin lokal.

Në nëntor të vitit 2009, në kuadër të fushatës “MOS VOTO. Zgjedh përnjëmend”, duke u tallur me politikanët, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin prezantuar në publik edhe një QURAN me KRAVATË, si simbol të politikanëve që merrnin pjesë në zgjedhje.

Në një aksion simbolik të asaj kohe, Vetëvendosje kishte gjetur të përbashkëtat e politikanëve që garojnë në zgjedhje dhe quranit: kravatën dhe krekosjen.

“Njësoj si Qurani që fryhet shumë dhe është i trullavtë, njësoj janë politikanët tanë [me kravatë]”, tallej asokohe Vetëvendosje e Kurtit.

HISTORIA ME KRAVATA PARA VETËVENDOSJES

Por, para kësaj fushate denigruese ekziston një Kurt tjetër, ai i shoqërise civile, i para agazhimit në një subjekt politik.

Ndonëse shija e kravatave dhe ngjyrës së rrobave linte shumë për të dëshiruar, Kurti shfaqej nëpër intervista televizive pikërisht me kravatë dhe në asnjë moment nuk e përbuzte atë dhe as nuk e konsideronte si simbol shtypjeje.

Rrëfimin për kravatën si simbol i politikanëve qurana, Kurti filloi e ndërtoi si pjesë të fushatës për denigrimin e kundërshtarëve politikë, ashtu siç bëri me çdo temë tjetër. /Demokracia.com/

Të ngjashme