Lajme
Krasniqi: Vuçiqit po i konvenon përshkallëzimi i situatës në veri, Qeveria do të duhej të gjente forma të shmangej nga eskalimi
Demokracia
18:35 | 19 Qershor 2023

Share:

Profesori Milazim Krasniqi, në një lidhje direkte në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se në Beograd janë të akumuluara të gjitha shtresat e krimeve shtetërore që janë bërë në vitet e 90-ta.

“Në Serbi bashkëjetojnë fashizmi me komunizmi në versione të reja dhe ato e kanë ngulfatur shoqërinë serbe për gjitha këto vite duke u krijuar një regjim tipik fashist”, ka thënë Krasniqi.

Profesori Krasniqi ka thënë se tashmë në Serbi po zhvillohet një formë rebelimi dhe sipas tij, në dy binare. “Në njërën anë është opozita fashiste që është bërë më e zezë se Vuçiqi dhe regjimi i tij, dhe në anën tjetër është një opozitë e përbërë nga vetë qytetarët”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka shtuar tutje se dinamika e zhvillimeve në Serbi varet dhe nga lufta që po zhvillohet në Ukrainë sepse sipas tij, Serba mban qëndrim pro Putinit dhe agresionit, duke theksuar se në mendësinë serbe Kosova përdoret në çdo situatë të mundshme.

“Vuçiqi në mënyrë absolute është duke e përdorur në maksimum (Kosovën) dhe kjo kriza në veri me përshkallëzimin e tashëm, pavarësisht gabimeve evidente që ka bërë Qeveria jonë në disa hapa është duke u sforcuar në mënyrë absolute nga Vuçiqi dhe regjimi i tij sepse atij i vyen një krizë në veri për mta frikësuar opozitën…Në këtë aspekt i konvenon konflikti në veri të Kosovës dhe fjalimi i tij i djeshëm e bëri të njohur që kur është ‘Vidovdani’ serb, ai ndoshta do të shpallë njëpoltikë të re agresive në veri, e la të kuptohet që e konsideron dialogun të vdekur, e la të kuptohet që nuk do të lirohen policët shqiptarë të kidnapuar, krejt kjo i vyen për të radikaluizuar gjendjen”, ka theksuar profesori Krasniqi.

Sipas Krasniqit, politikat tona duhej të dizajnoheshin që të shkohej në të kundërtën e saj, “nëse Vuçiqit i duhet shkallëzimi, eskalimi i konfliktit, Qeveria jonë dhe institucionet tona do të duhej të gjenin forma të shmangej nga eskalimi”, sepse sipas tij, presidentit Vuçiq po i konvenon përshkallëzimi i situatës në veri.

Të ngjashme