Lajme
Krasniqi takon Minxhozin, flasin për intensifikim bashkëpunimi mes komunave kufitare të Kosovës e Shqipërisë
Demokracia
18:53 | 07 Prill 2022

Share:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është takuar me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovës, Qemal Minxhozin. Tha se diskutuan për intensifikim bashkëpunimi në mes të komunave kufitare të të dyja vendeve.

“Një bashkëpunim i tillë është mundësi e mirë për hapje të perspektivës dhe promovim të zonave turistike, siç i ka Prizreni, apo Valbona në anën tjetër të kufirit”, tha Krasniqi.

“Partia Demokratike e Kosovës angazhohet përherë në forcimin e marrëdhënieve tona vëllazërore me Shqipërinë”, shtoi ai.

Njoftimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

Si gjithherë, kënaqësi e veçantë të takimi me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, mikun tim Qemal Minxhozi, me të cilin, përtej temave të karakterit nacional, diskutuam rreth intensifikimit të bashkëpunimit mes komunave të brezit kufitar që kryeqendër e kanë kryeqytetin tonë kulturor e historik, Prizrenin.

E vlerësuam si tepër të rëndësishme krijimin e këtyre raporteve ndërmjet komunave të Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, zhvillimit të veprimtarive rekreative, si dhe rritjes së efikasitetit të shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve që udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin. Një bashkëpunim i tillë është mundësi e mirë për hapje të perspektivës dhe promovim të zonave turistike, siç i ka Prizreni, apo Valbona në anën tjetër të kufirit.

Ambasadorin Minxhozi e falënderova për punën e tij të palodhshme si avokues i rritjes së bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri dhe gardian i promovimit të këtyre raporteve. Partia Demokratike e Kosovës angazhohet përherë në forcimin e marrëdhënieve tona vëllazërore me Shqipërinë.

Të ngjashme