Lajme
Krasniqi: Shqetësuese, SHBA përdori fjalinë “zhgënjimin nga Kosova”
Demokracia
18:39 | 11 Nëntor 2022

Share:

Para vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Partisë demokratike të Kosovës, në intervistë për RTK-në, ka treguar qëllimin e këtij udhëtimi.

Në vizitën zyrtare që do të realizojë javën e ardhshme, Krasniqi deklaroi se do të qëndrojë në Washington DC dhe New-York, ndonëse paraprakisht, të hënën e të martën, do të këtë vizitë në Bruksel.

“Në Bruksel, takimet kryesore do t’i zhvilloj në Parlamentin Evropian me një numër të konsiderueshëm të eurodeputetëve, kryesisht të atyre që kanë interes dhe merren me Kosovën, por edhe me ndërmjetësin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thotë Krasniqi.

Në intervistën e transmetuar në emisionin “Info Plus’, Krasniqi deklaroi se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të takojë të emëruarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Do të zhvilloj takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare si dhe Kongres, në dy dhomat: në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat. E përtej kësaj, do të kem takime dhe pritje edhe në disa prej instituteve the think-tanks kryesore amerikane, të ndërlidhura qoftë në Partinë Demokratike apo Partinë Republikane, siç është Këshilli i Atlantikut, Fondacioni Haritage e kështu me radhë”, shpjegoi Krasniqi.

“Gjithsesi kam paraparë takime me disa nga personalitetet kryesore që në këto njëzetë por edhe tridhjetë vitet e fundit kanë qenë të angazhuar dhe kanë përcjellë zhvillimet në Kosovë dhe në Ballkan”.

Krasniqi: Në SHBA të dëgjoj me vëmendje qëndrimin e SHBA-së

I pyetur se çfarë pret nga këto takime, kreu i PDK-së, u shpreh se para së gjithash, këtë vizitë e konsideron të rëndësishme për shkak të momentumit në të cilin po zhvillohet.

“Unë atje do të paraqes qëndrimet e PDK-së në lidhje me zhvillimet aktuale në Kosovë, por edhe në rajon”, tha ai, duke shtuar se do të ketë qëndrimet shtetërore të cilat i ka konsidetente si parti, në fokus të zhvillimeve që ndërlidhen jo vetëm në raport me Serbinë, por edhe perspektivën dhe ambiciet e Kosovës për të qenë anëtare e barabartë e familjes ndërkombëtare të shteteve.

“Do të dëgjoj me vëmendje se cilat janë qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse kohëve të fundit vërtetë është shqetësues fakti që në disa nga deklarimet e nivelit më të lartë, e shohim një fjalë që nuk e kemi dëgjuar më herët e që është fjala- zhgënjim”, deklaroi Krasniqi në intervistë për RTK-në. “Është fatkeqësi që sot Kosova të shikohet nga prizmi i zhgënjimit, nga vendi që i ka ndihmuar Kosovës më së shumti”.

Kryetari i PDK-së e konsideron të rëndësishme këtë vizitë për faktin që sipas tij, në këtë kohë nuk është mirë që Qeveria të sanksionohet me anulim të vizitave të zyrtarëve të saj, të njerëzve të pushtetit.

“Por, shpresoj që qëndrimet tona të cilat unë besoj se janë të ngjashme për sa i përket objektivave shtetërore të Kosovës, ta luajë rolin e vet”.

Krasniqi shpjegon mënyrën se si të dilet nga situata në veri

Në këtë intervistë, kryetari i PDK-së, u pyet edhe për strategjinë e tij si lider i partisë më të madhe opozitare në vend, për daljen nga kjo situatë, siç është ajo në veri të vendit.

“Situata në veri është vërtetë shqetësuese me potencial negativ për përshkallëzim”, konstatoti Krasniqi, sipas të cilit, kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë për ta dëmtuar Kosovën, por janë kërkesa për ta ndihmuar Kosovën.

“Asnjë nga të arriturat tona historike nuk ka ndodhur vetvetiu e as në izolim”, tha ai. “Të gjitha kanë ndodhur në koordinim dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Kreu i partisë më të madhe opozitare në vend u shpreh se sot ekziston një momentum i ri ndërkombëtar, në kohën kur pothuajse vëmendja e përgjithshme diplomatike është e fokusuar drejt Ukrainës.

“Ne duhet ta marim shumë seriozisht këtë koncentrim që po ndodhë në raport me Kosovën dhe po ashtu në tendencën për ta normalizuar raportin tonë me Serbinë. Pra angazhimi i SHBA-së, i Francës, i Gjermanisë Bashkimit Evropian në këtë koordinim që po shohim, duhet të shfrytëzohet me mençuri dhe me maturi nga Qeveria jonë”.

Krasniqi deklaroi se Kosova ka nevojë për vendime të përgjegjshme. “E në këtë kuadër, për arsye që i përmenda, për faktin që çdo e arritur e vendit tonë, e qytetarëve tanë, ka ndodhur vetëm kur kemi qenë të koordinuar dhe të konsultuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që kjo duhet të ndodhë edhe tash”.

Në këtë intervistë, Krasniqi u pyet edhe për rolin e tij pas takimit me kryeministrin Kurti. “Jam i shqetësuar nga zhvillimet në veri dhe duke paraparë potencialin e përkeqësimit, i kam shkruar një letër qysh të hënën kryeministrit, ku i kam shprehur jo vetëm gatishmërinë për të komunikuar, por edhe për të parë mundësitë e ndihmesës ndaj Qeverisë dhe institucioneve si partia më e madhe opozitare, në lidhje me rikthimin e normalitetit në pjesën veriore të vendit dhe mbi të gjitha në vazhdimësinë e ushtrimit të sovranitetit shtetëror atje si dhe mbarëvajtjen e rendit publik atje”, tha Krasniqi për RTK-në, duke e vlerësuar reflektimin e kryeministrit, i cili më pas, sipas tij,e dhe i ftoi në takim.

“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për gjithçka, por kam pasur një shqetësim të ri nga ai takim sepse nuk kam dalë i sigurt se Qeveria e di se cila është rruga që i ka hyrë dhe cili është epilogu i saj”, u shpreh kreu i PDK-së, duke shtuar se kërkon dhe shpreson se takimet që po ndodhin këto ditë, qoftë në Paris, qoftë tjera që mund të ndodhin në ditët në vijimësi, të trajtohen nga kryeministri Kurti, por edhe nga presidentja Osmani dhe që të ketë një lëvizje përpara në kthimin e normalitetit në pjesën veriore dhe në ruajtjen e krejt suksesit shtetëror të Kosovës. “Jo vetëm shtrirjen e sovranitetit, por edhe në integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”.

Krasniqi tregon përse duhet mbështetur krerët e UÇK-së në Hagë

Në këtë intervistë, kryetari i PDK-së u pyet edhe për vizitën që ditë më parë u bëri krerëve UÇK-së në Hagë.

“Para Gjykatës Speciale sot gjinden udhëheqësit dhe themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata atje nuk janë për çështje personale, por janë për çështje historike që ndërlidhen me kapitullin më të lavdishëm të historisë tonë të re, me luftën çlirimtare të UÇK-së”, deklaroi kryetari i PDK-së, duke shtuar se “secili prej nesh, çdo qytetar i Kosovës duhet të jetë në mbështetje të tyre sepse aty nuk janë politikisht për shkak të pozicioneve të tyre që kanë mbajtur gjatë jetës politike”.

Në këtë kuadër, ai tha se edhe institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta trajtojnë nga ky prizëm këtë proces, që të ofrojnë mbështetjen e nevojshme siç sipas tij, janë duke e dhënë deri tash, edhe sa i përket ndihmesës financiare të një pjese të mbrojtjes së tyre.

“Por edhe në kuptimin politik, veçanërisht besoj se duhet të ketë një fokus fakti tashmë i dëshmuar që raporti i Dick Marty-t, i cili ka qenë bazamenti i ndryshimit të legjislacionit, bile edhe të Kushtetutës për të krijuar mundësi e krijimit të Gjykatës Speciale dhe që tashmë po e përsëris, është verifikuar i pa vërtetë, të thuhet”, u shpreh Krasniqi në intervistë për RTK-në.

“Pra konsideroj që është mirë që secili ta thotë sepse në fund të fundit ka qenë Raporti i Dick Marty-t ai që i ka vënë një hije të zezë e të rëndë Republikës së Kosovës dhe që në një formë ose tjetër e ka kontestuar edhe të drejtën tonë për shtetësi”.

Në anën tjetër, Krsniqi u shpreh se procesi tashmë është para fillimit, në kuptimin e asaj që po dëgjohet edhe në media ndërkombëtare.

“Si i tillë duhet të vazhdojë pa imponime dhe pa ndërhyrje sepse besimi është i plotë se krerët e UÇK-së të cilët sot gjendjen atje do të dalin triumfues dhe të pafajshëm në fund të procesit”.

Të ngjashme