Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka vizituar sot dy komunat veriore të Kosovës, ku ka fituar partia e tij.
Këtë vizitë Krasniqi e bëri tri ditë pas ftesës publike që ia bëri kryeministrit Albin Kurti që bashkë ta vizitojnë veriun, shkruan Demokracia.com.
“Sot, vizitova Zveçanin dhe Zubin Potokun, ku takova Kryetarët e këtyre dy komunave, Ilir Pecin në fshatin Kelmend dhe Izmir Zeqirin në fshatin Çabër.”, ka shkruar Krasniqi.
Ai njoftoi se ka parë nga afër nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohen jo vetëm Kryetarët e komunave, por edhe qytetarët shqiptarë në këto vendbanime.
“Të dy kryetarët i falënderova për përkushtimin, sakrificën dhe vullnetin, që, përkundër kushteve jo adekuate, detyrën e tyre ta ushtrojnë me durim, përgjegjësi dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke kontribuar në paqe dhe shtensionim të situatës në komunat e tyre. Para se gjithash, sot, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci janë në shërbim të qytetarëve, të komunave të tyre dhe të shtetit të Kosovës. Dhe, për këtë, ata gëzojnë mbështetjen e plotë timen dhe të Partisë Demokratike të Kosovës.”, ka shtuar ai.