Lajme
Krasniqi: Po gjykohet UÇK-ja si organizatë, dhe jo vetëm individët
Demokracia
08:14 | 04 Prill 2023

Share:

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka shkruar një status për aktakuzën e lexuar nga Prokuroria Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Më anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se në Hagë po gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës si organizatë, e jo vetëm individët.

Tutje, ai ka thënë se disa nga akuzat ishin madje edhe absurde.

Postimi i plote:

Nga paraqitja e sotme e akuzës nga prokurorët e Gjykatës Speciale, për fillim mund të ngrihen këto hipoteza: E para, në bangën e zezë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës si organizatë, e jo vetëm individët. Pse?

Sepse prokurorët përdorën dokumentet zyrtare të UÇK-së, hartat e zonat, folën për strukturat e saj dhe për politikat e saj, me synimin që të argumetojnë fajësinë e Shtabit të Përgjithshëm. E dyta, akuza se janë ndërmarrë aksione kundër stacioneve policore të Serbisë dhe kundër figurave kolaboracioniste, përfshirë ish rektorin Papoviq, në kontekstin e një lufte të armatosur, duket e çuditshme.

Një organizatë çlirimtare cak legjitim i ka objektet dhe subjektet që identifikohen me pushtuesin. E treta, citimi i librave si libri “Kthesa e madhe”i Jakup Krasniqit, si material inkriminues, duket absurd. Logjikisht i bie që po të kishte gjëra për të fshehur, autori nuk do t’i ndante me publikun. E katërta, edhe nëse janë bërë krime ndaj civilëve të pafajshëm, gjë që nuk përjashtohet, por mbetet të vërtetohet nga dëshmitarët në vazhdimin e procesit, kjo vetvetiu nuk e ngarkon me fajësi as Shtabin e Përgjitshëm e as katër të akuzuarit në këtë proces. Fajësia duhet të adresohet te kryesit e atyre akteve të dhunshme.

Pse? Sepse në çdo luftë ka raste të daljes së individëve a grupeve jashtë kontrollit, jashtë urdhërave. Rast i freskët dhe gjithsesi goditës është ajo që patën bërë disa ushtarë amerikanë në burgun Abu Graib në Irakun e pushtuar. Keqtrajtimet brutale të të burgosurve irakienë ishin akte indviduale të atyre ushtarëve dhe u adresuan si të atilla në gjykata, e jo në gjithë zinxhirin komandues. Sidoqoftë, është dita e parë e procesit gjyqësor dhe na mbetet të shohim si do të zhvillohet në vazhdim. Sa i përket prokurorisë, korniza e fajësisë kolektive për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u vendos sot. Ajo kërkon inkriminimin e kauzës së UÇK-së dhe ndryshimin e historisë së çlirimit të Kosovës. (3 prill 2023)

Të ngjashme