Lajme
Krasniqi për Kurtin: Nuk e di a ka fytyrë që t’u dalë përpara familjarëve të pagjetur?
Demokracia
22:10 | 09 Gusht 2023

Share:

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka hedhur kritika ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për temën e personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Sipas saj, Kurti i ka braktisur dhe harruar të gjithë të pagjeturit.

“Kurti i braktisi krejt. Erdhi në pushtet me zotimet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, sot i ka harruar ata. I ka harruar dhimbjet e shumë nënave”, shkroi ajo në Facebook.

Krasniqi shprehet se Kurti ka filluar t’i rehatojë nëpër funksione të larta shtetërore personat që dikur shërbenin nën uniformat e ushtrisë serbe.

“Për me keq, ka nisur t’i rehatoj në funksione shtetërore individ që shërbyen nën uniformat ushtarake serbe. Nuk e di a ka fytyrë që t’u dalë përpara familjarëve të pagjetur?”, pyeti ajo.

Në mes të nëntorit, eshtrat e civilëve të dyshuar shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë, më 1999, janë gjetur në Kizhevak, pranë Rashkës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur ishte një nga pikat e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e cila qe nënshkruar më 4 shtator të 2020-s në Uashington nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Çështja e të zhdukurve është gjithashtu në agjendën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Të ngjashme