Lajme
Krasniqi: Nëse VV nuk mundet, t’i hap rrugë të tjerëve ta formojnë shumicën – vullneti i qytetarëve nuk mund të mbahet peng
Demokracia
20:55 | 23 Prill 2025

Share:

Eksperti i zgjedhjeve nga Demokraci Plus, Albert Krasniqi ka reaguar në lidhje me dështimin e radhës të seancës për konstituimin e Kuvendit.

Krasniqi tha se nëse VV ka vërtetë interes për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duhet të bëjë të paktën përpjekje minimale për të siguruar mbështetjen e nevojshme.

Tutje ai shtoi se “vullneti i qytetarëve për formimin e institucioneve pas një procesi demokratik zgjedhor nuk mund të mbahet peng nga asnjë subjekt politik”.

Postimi i plotë:

“Nëse VV ka vërtet interes për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duhet të bëjë të paktën përpjekje minimale për të siguruar mbështetjen e nevojshme. Deri më tani, më shumë energji po shpenzohet në ndërtimin e një narrative se po i mohohet një e drejtë që, sipas saj, i është dhënë nga populli.

Por numrat në Kuvend nuk ndryshojnë vetvetiu. Dialogu nuk realizohet vetëm përmes deklarimeve publike. Dhe kryetari i Kuvendit nuk zgjidhet nga populli, por nga deputetët — të cilët i përfaqëson.

Nëse mungon vullneti për kompromis me partitë e tjera, hapi i vetëm normal është të hapet rruga për të tjerët që të provojnë të formojnë shumicën. Vullneti i qytetarëve për formimin e institucioneve pas një procesi demokratik zgjedhor nuk mund të mbahet peng nga asnjë subjekt politik”.

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025