Njohësi i rrethanave politike në vend, Albert Krasniqi, ka kërkua nga VV-ja që të bëjë përpjekje minimale, nëse dëshiron të zgjedh kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka kritikua ashpër qasjen e VV-së në raport në këtë çështje.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se deri më tani kjo parti më shumë po shpenzon energji në ndërtimin e një narrative se po i mohohet një e drejtë nga partitë tjera.
“Nëse VV ka vërtet interes për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, duhet të bëjë të paktën përpjekje minimale për të siguruar mbështetjen e nevojshme. Deri më tani, më shumë energji po shpenzohet në ndërtimin e një narrative se po i mohohet një e drejtë që, sipas saj, i është dhënë nga populli. Por numrat në Kuvend nuk ndryshojnë vetvetiu. Dialogu nuk realizohet vetëm përmes deklarimeve publike. Dhe kryetari i Kuvendit nuk zgjidhet nga populli, por nga deputetët — të cilët i përfaqëson”, ka shkruar Krasniqi, duke shtuar se vullneti i qytetarëve të Kosovës për formimin e institucioneve nuk mund të mbahet peng nga një parti.
“Nëse mungon vullneti për kompromis me partitë e tjera, hapi i vetëm normal është të hapet rruga për të tjerët që të provojnë të formojnë shumicën. Vullneti i qytetarëve për formimin e institucioneve pas një procesi demokratik zgjedhor nuk mund të mbahet peng nga asnjë subjekt politik”, ka shkruar Krasniqi.