Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili sot doli në një konferencë për media nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje.
Krasniqi shkroi në Facebook se “detyra e parë e tij është mandati përballë qytetarëve e jo defilimi përballë militantëve”
“Por, ai që refuzon të përgjigjet e të mbajë përgjegjësi për dështimet përballë qytetarëve, gjithmonë do ta kërkojë shpëtimin diku tjetër”, shtoi kryetari i PDK-së.
Krasniqi tha se Kurti po e mashtron popullin me zgjedhjet në LVV.
“Kosova është në ditët më të vështira të stresit social dhe ekonomik që nga paslufta. E duke qenë i paaftë për përgjegjësitë e një kryeministri, Albin Kurti po kërkon t’i ikë ballafaqimit me gjendjen, duke e shitur si “ngjarje” për popullin, mbajtjen e një procesi të rëndomtë zgjedhor të subjektit të tij politik. Mbajtja e zgjedhjeve brenda Lëvizjes Vetëvendosje është pjesë e demokracisë, por “ngjarja e vërtetë” është kriza që ka përfshirë gjithsecilën familje në vend”, shkroi ai.
Krasniqi thotë se “komoditeti për t’u angazhuar në zgjedhje të brendshme në rrethanat aktuale të krizës së përgjithshme ekonomike, i shkon për shtati pikërisht një kryeministri të këtillë, i cili merret me zgjedhje në parti, sepse s’ka kurrfarë zgjidhje për popull”.
“Fatkeqësisht, ai jo vetëm që s’ka zgjidhje për krizën, por nga paaftësia e tij qeverisëse, është duke i kontribuar edhe më shumë asaj”, shtoi ai.
Krasniqi tha se në këto rrethana, qytetarëve iu duhet një kryeministër që mendon për zgjidhjen e problemeve, dhe jo për zgjedhje të brendshme të partisë.
“Prandaj, kryeministri duhet ta rikthejë fokusin e të përqendrohet për të marrë masa të qëndrueshme për t’ua lehtësuar qytetarëve të vendit tonë ballafaqimin me këtë krizë ekonomike gjithëpërfshirëse e të kudondodhshme”, shkroi Krasniqi.
Kryeministri Albin Kurti e thirri një konferencë për media për t’iu bërë thirrje anëtarëve të LVV-së që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet partiake.