Sport
Krasniqi ‘kërcënon’ Dritën: Nesër e përsërisim ndeshjen e Superkupës, jemi më të motivuar se kurrë
Demokracia
20:11 | 08 Shkurt 2021

Share:

Një paraqitje e shkëlqyer në Superkupën e Kosovës të luajtur në Antalia pikërisht përballë Dritës, ka bërë që Prishtina të cilësohet favorite e madhe për të kaluar tutje në garat e Kupës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Prishtina do të ndeshet nesër nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” me Dritën në një sfidë që po cilësohet si tejet e fortë dhe e paparashikuar deri në fund.

Mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi në një bisedë për Demokracia.com, ka thënë se ekipi është gati për ta përsëritur suksesin e Antalias.

“Në ndeshjen e Superkupës kemi bërë një super-paraqitje dhe shpresojmë ta bëjmë të njëjtën edhe në Kupë nesër. Gjithsesi, e pranojmë se do të jetë shumë ndeshje e vështirë”, ka thënë Krasniqi për Demokracia.com.

Mbrojtësi bardhekaltër që iu bashkua Prishtinës edicionin e kaluar, pas një paraqitje të jashtëzakonshme që kishte te Ballkani, ka thënë se ekipi është shumë i motivuar dhe i etur për të arritur te suksesi.

“Jemi shumë të motivuar dhe jemi të gatshëm për nesër. Mendoj nëse përsërisim paraqitjet e fundit sidomos në Superkupë, por edhe në ndeshjet miqësore, do të kalojmë tutje. Sigurisht duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi detajet e vogla do ta vendosin lojën. Por ne do të japim më të mirë dhe kam shumë besim se do të kalojmë tutje”, vlerësoi Krasniqi.

“Sa i përket formës personale, jam mirë. Kemi bërë një fazë shumë të mirë dhe shpresoj çdo ndeshje do e ngriti formën time. Jam gati për gjithçka”, ka përfunduar Besnik Krasniqi. /Demokracia.com

Të ngjashme