Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku i cili sot gjatë ditës përmes një letre ka propozuar që fushata zgjedhore prej 30 ditësh të shkurtohet në 10 ditë.
Krasnqi përmes kësaj letre ka thënë se tragjedia me COVID-19 po i kushton me jetë qytetarëve të vendit.
“Kjo tragjedi që po kushton me dhjetëra jetë të humbura të qytetarëve të Republikës së Kosovës për çdo ditë, na ka vënë e duhet të na vejë të gjithëve në lëvizje, duke parë përtej dallimeve politike, me qëllim që secili nga ne të përpiqemi të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate të rëndë. Aq më tepër, situata na ndërgjegjëson që të përpiqemi të kontribuojmë në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të kësaj gjendjeje”, ka shkruar Krasniqi në letrën që ia ka kthyer Abdixhikut.
Krasniqi po ashtu ka thënë se PDK-ja konsideron se shëndeti i qytetarëve të Kosovës është prioritet themelor i cili duhet të mbrohet dhe të sigurohet para çdo agjende tjetër.
“Në vijim të letrës suaj, Partia Demokratike e Kosovës ndanë mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”, shkruan Krasniqi.