Lajme
Krasniqi: Diktimi i çmimeve në Kosovë sikur të ishim në Kinë ose Kubë
Demokracia
13:05 | 20 Tetor 2022

Share:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në lidhje me diskutimin dhe propozimin e qeverisë për të vendosur çmimet tavan në produktet bazë ka thënë se parimisht janë kundër intervenimit të shtetit në vendosjen e çmimeve.

Krasniqi tha se kur ka nevojë për ndërhyrje të tilla duhet të bëhen sipas Kushtetutës, e jo në kundërshtim me të.

“Neni 119 i Kushtetutës thotë qartë se duhet me pasë autoritete të pavarura që merren me intervenimin në treg në raste emergjente. Ministri nuk është organ i pavarur”.

“Sot nëse kish me hy ky ligj në fuqi, ne do të kishim një ministre me aktakuzë e cila do të përcaktonte cilat produkte mund t’i blejnë qytetarët, cilat jo dhe me çfarë çmimi. Ky është diktat. Kjo mund të ndodhë në Kinë ose në Kubë, por jo në Kosovë”, ka thënë ai në seancën e sotme.

Kryetari i PDK-së deklaroi se me këtë ligj do të mbyllen shumë minimarkete të vogla dhe mijëra qytetarë do të mbesin pa punë.

“Deri tash, kjo qeveri dhe as ministritë që e kanë si obligim primar nuk kanë paraqitur asnjë evidencë se rritja enorme e çmimeve po shkaktohet nga abuzues të çmimeve. Në fakt ka qenë vetë kjo ministre që ka thënë se e kanë gjetë fajtorin për rritjen e çmimeve, duke i shpallë fajtorë marketet e vogla të lagjeve për këtë gjë. Atëherë ju kam thënë se e paskët ndërmend me ba një ligj që i mbyllë këto markete dhe, ja ku jemi sot, me pikërisht një propozim të tillë, i cili, fatkeqësisht, do të lë pa punë mijëra qytetarë”.

Për më tepër, ai ka thënë se kjo është ndërhyrje direkte në tregun e lirë dhe shkelje e ligjit.

“Një prej parimeve bazë në deklaratën e pavarësisë së Kosovës, është ekonomia e tregut. Këtë bazament ju sot po dëshironi me e thy. Ju e keni ba një ligj që nuk ka as afat kohor as asgjë. Në rast se duhet me u rregullu tregu, kryesisht në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, për këtë qëllim Republika e Kosovës themelon organe të pavarura, jo Qeveria me i diktu çmimet”.

“Ju kemi ftu që një vjet me e heqë TVSH-në për çmimet esenciale, akcizën për naftë, që kishin me i ulë çmimet, keni refuzuar. E çka po bëni, tash e tutje dëshironi me ju tregu qytetarëve kur munden oriz e makarona me hangër”.

Të ngjashme