Lajme
Krasniqi: Dhuna në Kuvend u orkestrua nga Qeveria për të tërhequr vëmendjen nga dy skandale
Demokracia
20:50 | 13 Korrik 2023

Share:

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se dhuna e sotme në Kuvendin e Kosovës ka qenë e inskenuar dhe orkestruar nga qeveria e Kosovës.

Sipas tij, kjo është bërë për të tërhequr vëmendjen nga përgjimet e publikuara për të cilat ai thotë “koordinimi, bashkëpunimi dhe planifikimi i veprimeve politike bashkë me kriminelin Milan Radojçiq, në dëm të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës” dhe gjithashtu sipas tij për të mbuluar “tërheqjen e turpshme e të fshehtë të Besnik Bislimit nga veriu i Kosovës – këtij “profesori” që provokoi, nisi dhe kontribuoi pareshtur në sulmet fizike të Qeverisë ndaj deputetëve tanë.”.

Ai ka thënë se PDK-ja nuk do ta largojë vëmendjen nga tema kryesore e cila sipas tij ka vënë në panik këtë Qeveri, siç thotë ai ”bashkëpunimi i fshehtë me Milan Radojçiqin“.

”PDK nuk do të ndalet për asnjë moment, derisa e vërteta e plotë e koketimit të kësaj Qeverie me kriminelin Radojçiq të merret vesh plotësisht. Çfarë pazaresh ka bërë kjo Qeveri me Radojçiqin në emër të Kosovës? Çfarë ka dhënë dhe çfarë ka marrë kjo Qeveri nga Radojçiqi? Çfarë dëmi i është bërë Kosovës dhe qytetarëve tanë përmes kësaj marrëveshjeje e bashkëpunimi të fshehtë, duke rrezikuar edhe sigurinë kombëtare të vendit?“.

”Këto dhe të gjitha pyetjet tjera do të marrin përgjigje. Albin Kurti, Mimoza Kusari-Lila, Besnik Bislmi dhe të gjithë të tjerët që janë përfshirë në pazare të turpshme me Milan Radojçiqin, duhet dhe do të japin llogari para qytetarëve“.

”Një gjë është është e sigurt: Kjo Qeveri nuk ka më asnjë lloj kredibiliteti për të qeverisur me vendin. Mandati duhet t’u kthehet qytetarëve sa më parë. Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja që sjellin një Qeveri ndryshe – të përgjegjshme e të besueshme dhe që e rikthen rrugëtimin e vendit në kursin e integrimit euro-atlantik dhe pro-perëndimor“, ka thënë kryetari i PDK-së, të enjten.

Të ngjashme