Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, të cilin e ka falënderuar për mbështetje.
“Duke i uruar mision të suksesshëm në Kosovë, Ambasadorit Hargreaves i shpreha gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim dhe partneritet të mirëfilltë. Ndër të tjera, ambasadorin Hargreaves e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj popullit dhe shtetit tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.
Ai ka theksuar se është pajtuar me ambasadorin Hargreaves që thellimi i raporteve miqësore mes dy vendeve të jetë qëllimi për të cilin do të punojnë dhe angazhohem të dy palët.
Gjatë së hënës, Hargreaves është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me të cilin ka diskutuar për programin “Rruga e Re”.
“Ambasadorin Hargreaves e falënderova për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar – në veçanti në fushën e sigurisë, gjatë viteve e dekadave të shkuara. Raportet e shkëlqyera në mes të dy vendeve tona janë garanci për të ardhmen e Republikës dhe popullit tonë”, ka njoftuar i pari i LDK-së në Facebook.
Më 5 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Hargreaves është ambasadori i gjashtë i emëruar i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë. Ai në këtë pozitë ka zëvendësuar Nicholas Abbott.
Para emërimit si ambasador në Kosovë, Hargreaves ishte Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar për Sirinë.
Para kësaj, Hargreaves ishte emëruar edhe si Zëvendës Drejtor për Divizionin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut për Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar në Mbretërinë e Bashkuar.