Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka bërë një deklarim të pamatur lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri të mbajtura të dielën, nga të cilat, fituese doli bindshëm Partia Socialiste. ‘‘Fundi i Shqipërisë’’, shkroi Kraki në komentin e tij kur e pa trendin e votave atje. Deputeti nga Juniku me qëndrim në botën e jashtme(Francë), kishte një kandidat të preferuar brenda radhëve të koalicionit PD, i cili si duket s’gjeti përkrahjen e duhur për t’u futur në Parlamentin shqiptar.
Vetëvendosje dhe Albin Kurti duke parë që në Shqipëri nuk kanë terren politik, kanë qëndruar larg fushatës dhe zgjedhjeve të 11 majit në Shqipëri, përjashto pritjen që u bëri në zyrën e kryeministrit figurave nga Lëvizja Shqipëria bëhet. Por, pa ambicie për të ndikuar në rezultatin zgjedhor atje nuk ishte Nezir Kraki i cili në zgjedhjet e shkurtit ia doli të bëhet deputet si kandidat i “Guxo” në Listën e Vetëvendosjes.
Po kush ishte kandidati që Kraki deshi që të jetë në Parlamentin e ri shqiptar
Bëhet fjalë për Et’hem Aga. Ky i fundit ka qenë pjesë e listës së hapur të PD-së, për qarkun e Tiranës.
Me të, Kraki kishte bërë një videopostim në Facebook, ku u kishte bërë thirrje qytetarëve shqiptarë ta votojnë atë, kandidatin Aga të PD-së.
Në postimin e tij, Kraki kishte shkruar se si Aga është mik i mirë i tij, dhe sikur vetë deputeti i VV-së, edhe Aga vjen ‘‘nga Parisi me synimin që të kontribuojë në bërjen e Shqipërisë vend normal dhe serioz, në shërbim të të gjithëve’’.
Në postimin e tij, deputeti Kraki kishte thënë se nuk do që të ‘‘përzihet në zgjedhjet’’ e Shqipërisë.
‘’Si deputet i Kuvendit të Kosovës nuk dua të përzihem në zgjedhjet që do mbaben me 11 maj në Shqipëri. Megjithatë, një përjashtim dua t’ia lejoj vetes duke ju ftuar ta votoni kandidatin e PD-ASHM Ethem Aga nga lista e hapur e Qarkut te Tiranës’’, kishte shkruar ai.
Pavarësisht kësaj, Kraki dje ‘u përzi’ në rezultatin i cili buroi nga vullneti i qytetarëve atje.
Madje, siç është potencuar më lartë, ‘përzierin’, që e bëri ai dje, e bëri në mënyrë goxha skandaloze duke e shpallë “Fundin e Shqipërisë”, shteti anëtar të NATO’s dhe kandidatit serioz për t’u anëtarësuar në BE për pak vite.
Sa i përket kandidatit Aga, edhe pse ende s’është mbyllur numërimi i votave, ai ende s’e ka siguruar ulësen në kuvendin e Shqipërisë. Porse, për diçka të tillë, duhet të pritet rezultati final.
Aga ka diçka mbi 170 vota dhe është në listë të hapur nga e cila hyjnë dy kandidatë që sigurojnë më së shumti vota ndërsa aktualisht ka 13 kandidatë të ranguar më mirë se ai.