Diaspora
KQZ: Rezultatet përfundimtare mund të shpallen javën e ardhshme
Demokracia
15:50 | 23 Shkurt 2021

Share:

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) deri më tani janë numëruar 76 vendvotimeve nga 494 vendvotime për të cilat KQZ-ja ka marrë vendim të hënën që të rinumërohen.

Në një konferencë për medie, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se deri më tani janë numëruara 76 vendvotime nga gjithësej 494 sa ishin marrë të rinumërohen.

“Deri më tani janë rinumëruar 15% apo 76 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës. Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike (35 vendvotime); bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve (6 vendvotime); kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik (370 vendvotime); dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas (83 vendvotime)”,tha Elezi, përcjell Demokracia.com

Ai më tej ka treguar se në QNR është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuar me fletëvotime nga jashtë vendit.

“Në këtë qendër, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës”, ka thënë Elezi.

Elezi po ashtu tregoi se deri më tani janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara dhe gjithashtu tregoi edhe arsyet e mosaprovimit të këtyre zarfeve.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 25 mijë e 153 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 29 mijë e 87 zarfe me fletëvotime dhe 11 mijë e 840 zarfe të refuzuara. Arsyet e mosaprovimit të tyre janë të ndryshme dhe si në vijim:5 mijë e 78 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; 3 mijë e 836 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së aplikimit sepse nuk kanë dëshmuar kriteret ligjore; 908 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë; 1 mijë e 551 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar (votim grupor); 467 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jovalide për identifikim”, tha Elezi.

Elezi tregoi se varësisht rekomandimeve të QNR-së, mund të shkojnë në rinumërim edhe vendvotime tjera. Po ashtu ai tha se në vikend do të fillohet me numërimin e votave me kusht dhe të diasporës, dhe se KQZ javën e ardhshme do të mund të shpall edhe rezultatet përfundimtare./Demokracia.com/

Të ngjashme