Lajme
KQZ nis publikimin e rezultateve të kandidatëve për deputetë
Demokracia
11:17 | 16 Shkurt 2021

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur me publikimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë.

Kjo është bërë e ditur në një konferencë për media nga zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, raporton Demokracia.com.

Elezi ka bërë të ditur se rezultatet mund ë shihen duke shfletuar kopjet e formularëve të cilat do të publikohen në ueb-faqen e KQZ-së.

“Më lejoni të ju informoj se me qëllim të rritjes dhe transparencës, KQZ-ja ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve për partitë dhe kandidatët.

Rezultatet do të mund t’i shihni për partitë politike dhe kandidatët duke shfletuar kopjet e këtyre formularëve të cilët janë plotësuar në vendvotim të dielën në mbrëmje.

Publikimi i formularëve të publikuar nga komunat e ndryshme të Kosovës është në proces dhe më pas ata formularë ngarkohen dhe publikohen në faqe të KQZ-së.”, ka thënë ai, raporton Demokracia.com.

Elezi në fund ka bërë të ditur se kjo nuk nënkupton shpalljen e rezultateve përfundimtare.

“Kjo nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare. Rezultatet përfundimtare shpallen pas numërimit të votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe ato që kanë ardhur me postë.”, bëri të ditur tutje zëdhënësi i KQZ-së.

Kujtojmë se të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ deri tani, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve duke marrë mbi 47 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës./Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024