Në dhjetor të vitit 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të anulojë tenderin e rregullt për shtypjen e fletëvotimeve dhe, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, po synon të lidhë një kontratë të re me një konsorcium nga Sllovenia, shkruan Demokracia.com.
Konsorciumi i përzgjedhur për këtë tender përbëhet nga kompanitë Cetis d.d. dhe CETKOS L.L.C., me lider nga Sllovenia. Vlera totale e kontratës është 279,332.67 euro dhe ajo do të përfshijë shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025.
Kjo procedurë e negociuar, e cila sipas Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik konsiderohet e jashtëzakonshme dhe shmangie nga parimet bazë të çiltërsisë dhe konkurrencës është e ngjashme me atë që KQZ aplikoi edhe në vitin 2021. Në atë kohë, për Zgjedhjet e Parakohshme të Kuvendit, u përzgjodh i njëjti konsorcium, por kontrata ishte dukshëm më e lirë – 184 mijë euro.
Ndërkohë, krahasuar me tenderin e vitit 2021, kontrata e re përfshin dy artikuj të shtuar, të cilët nuk janë shumë të kushtueshëm.
- Lista e votuesve – 2,584 copë
- Lista e votuesve për vendvotimet me kusht – 60 copë
(2021)
Artikujt kryesorë të porositur në tenderin e ri janë:
- Fletëvotimi për Kuvendin e Kosovës (formati A3, sasia ende nuk është specifikuar)
- Broshura e kandidatëve për Kuvendin e Kosovës – 16,500 copë
- Lista e votuesve – 2,584 copë
- Lista e votuesve për vendvotimet me kusht – 60 copë
(2025)
Vlen të theksohet se rritja prej rreth 100 mijë eurosh në çmimin e tenderit, krahasuar me atë të vitit 2021, ngrit dyshime për transparencën dhe arsyetimin e kostove. Kjo praktikë vazhdon të ngjallë dyshime për mënyrën sesi KQZ menaxhon procedurat e prokurimit, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjedhje të rëndësishme si ato të Kuvendit të Kosovës.
E ka nisur si tender të rregullt, me një plan për të shpenzuar mbi gjysmë milioni euro, por dy muaj para zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të anulojë tenderin për shtypjen e fletëvotimeve. Në fund të tetorit, KQZ kishte nisur procedurat për kontraktimin e një kompanie që do të përgatiste fletëvotimet dhe materialet tjera për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, si dhe për zgjedhjet lokale të planifikuara në pjesën e dytë të vitit. Për këtë projekt, KQZ kishte ndarë mbi 500 mijë euro, por tashmë ka nxjerrë një njoftim të ri që tenderi është anuluar.
Sipas të dhënave të publikuara, në tenderin e rregullt morën pjesë katër kompani që dorëzuan ofertat e tyre financiare. Konsorciumi slloven Cetis d.d. dhe CETKOS L.L.C., i cili kishte fituar edhe kontratën e fundit për fletëvotimet, ofroi një çmim prej 776 mijë euro, shumë më të lartë se buxheti i parashikuar prej 551 mijë euro. Për këtë arsye, oferta u cilësua si e papranueshme nga KQZ.
Një kompani tjetër ofroi 623 mijë euro, por edhe ajo u eliminua për tejkalim të buxhetit. Ndërkohë, kompania që ofroi çmimin më të ulët, 374 mijë euro, u diskualifikua për shkak të mungesës së dokumenteve dhe certifikatave të nevojshme si ISO 9001:2015, ISO 27001 dhe të tjera, si dhe për mungesën e provave për shtypjen e materialeve të ndjeshme. /Demokracia.com/