Lajme
KQZ-ja vazhdon të vonohet, si për qef të Kurtit: Numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike s’pritet të përfundojë as sonte
Demokracia
20:15 | 27 Shkurt 2025

Share:

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve Zgjedhore po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës me kapacitete të plota në 11 njësi numëruese e monitoruese për subjektet politike dhe pastaj për kandidatët për deputetë.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon me numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike, proces ky që sipas KQZ-së, do të përfundojë sonte.

“Aktualisht janë duke u numëruar votat nga votimi në përfaqësitë diplomatike, në ndërrimin e pasdites do të mbesin 11 vendvotime të cilat pritet të përfundojnë sonte. Rezultatet nga numërimi i sotëm së shpejti do të shfaqen në platformën elektronike. Pas tyre do të fillojmë me numërimin e votave të mërgatës që kanë votuar nëpërmjet postës”, thanë  nga KQZ-ja.

Megjithatë, ende nuk ka ndonjë përditësim në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Të dhënat e fundit që janë publikuar, sa i përket votave në përfaqësitë diplomatike, është më 26 shkurt në orën 23:48.

Sipas KQZ-së, pasi të përfundojë numërimi i këtyre votave, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i votave me postë.

Sipas të dhënave që aktualisht janë të publikuara, sa i përket votave në përfaqësitë diplomatike, nga 44.19 për qind e vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe alternativa ka 81.89 për qind, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës më 7.21 për qind, Partia Demokratike e Kosovës me 5.75 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma me 1.54 për qind.

Bëhet e ditur se sot nuk janë hapur kutitë e votimit deri në orën 12:00 për shkak se është dashur të bëhet trajnim shtesë për personat që janë përfshirë në numërimin ë kutive të votave.

Ende s’ka përditësim të rezultateve nga numërimi i votave në përfaqësitë diplomatike

4 mijë e 865 zarfe të votave me postë dërguar nga jashtë vendit janë refuzuar nga Komisioni Qendrore për arsye të ndryshme shkeljesh, por më së theksueshmi del se 868 zarfa kanë të bëjnë me persona që kanë provuar të votojnë më shumë se një herë.

Kështu bënë të ditur nga KQZ-ja në mbledhjen e sotme pas shpalimit të raportit të vlerësimit të pakova me vota nga jashtë vendit.

Arsyet e refuzimit të 4,865 zarfeve:

– 2,870 zarfe nuk janë proceduar, pasi votuesit ishin të anuluar gjatë fazës së aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës (29 gusht 2024 – 26 dhjetor 2024);

– 310 zarfe janë refuzuar, pasi fletëvotimi nuk ka qenë i personalizuar (një person – një fletëvotim);

– 24 zarfe janë refuzuar, pasi nuk kanë pasur pullë/vulë postare;

– 138 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit i kanë dërguar nga një shtet tjetër nga ai që kishin deklaruar gjatë regjistrimit;

– 178 zarfe janë refuzuar, pasi brenda tyre ka qenë vetëm dëftesa e regjistrimit, pa fletëvotim;

– 432 zarfe janë refuzuar, pasi brenda tyre ka munguar dëftesa e regjistrimit dhe kanë përmbajtur vetëm fletëvotimin;

– 45 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit kanë dërguar fletëvotimin me dokument identifikues të Kosovës dhe nuk kanë përfshirë dëftesën e regjistrimit;

– 868 zarfe janë refuzuar, pasi votuesit kanë dërguar zarfin me fletëvotim më shumë se një herë.

Refuzimi i afro 5 mijë zarfave me postë, gati 900 persona provuan të votojnë më shumë se një herë

 

Të ngjashme