Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka vendosur që në qendrat e votimit ku ka pasur probleme me pajisjen e identifikimit elektronik, të vijohet me identifikimin e votuesve në mënyrë manuale.
Ky vendim është marrë pasi në shumë vendvotime këto pajisje nuk kanë funksionuar qysh në fillim të procesit zgjedhor.
“Në momentin që ne flasim janë 4464 qendra votimi që funksionojnë normalisht me pajisjet elektronike të identifikimit. Janë 206 qendra votimi të cilat sipas informacionit që marrim përmes sistemit, pajisja është e konfiguruar por nuk mund të marrim automatikisht informacion prej tyre. Ndërkohë janë 533 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacione që do të thotë që pajisja nuk funksionon ose funksionon pjesërisht, por nuk kemi këtë të dhënë përmes sistemit. Janë 532 tani se informacioni përditësohet në kohë reale, për të cilat supozohet në rastin më të keq që identifikimi të mos bëhet përmes pajisjes elektronike. E kuptojmë shumë mirë rëndësinë e kësaj problematike, por kjo është situata, jemi përpjekur të korrigjojmë aq sa ka qenë e mundur të ndryshojmë. Edhe kodi zgjedhur dhe aktet rregullatore kanë parashikuar situata të tilla, që kur implementohet një pajisje elektronike do të duhet të pritet një kohë me propabilitetin që të rregullohet. Në vlerësim të situatës dhe problematikave kemi vlerësuar bashkë me komisionerët për të mos penguar procesin e votimit, urdhëruam që ky proces të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë që të prisnim”, ka thënë Celibashi.
Për shkak të probleme është shënuar pjesëmarrje e ulët në procesin e votimit, ku në krahasim me vitin e kaluar është përgjysmuar./TCh