Lajme
KQZ-ja deri të hënën vendos nëse do të ketë rinumërim të votave në disa vendvotime
Demokracia
13:38 | 20 Shkurt 2021

Share:

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) pritet që deri të hënën të vendosë   për rinumërimin e disa vendvotimeve.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili ka thënë se nesër në mbrëmje ose të hënën, pritet që të dihet numri i saktë i vendvotimeve që do të rinumërohen.

“Ka vendvotime të cilat janë duke ju nënshtruar procesit të auditimit. Deri nesër në mbrëmje, eventualisht të hënën, do të kemi një raport se sa do të jetë numri i saktë i vendvotimeve të cilat mund t’i nënshtrohet procesit të vendvotimit. QNR-ja do të përgatisë raportin dhe rekomandimin përkatës dhe më pas është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që merr vendimin.”, ka thënë ai në një konferencë për media, raporton Demokracia.com.

Elezi mes tjerash ka thënë se nuk ka një afat ligjor se kur pritet të bëhet shpallja dhe certifikimi i rezultateve përfundimtare.

Kujtojmë se të dielën në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ deri tani, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e këtyre zgjedhjeve duke marrë mbi 47 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme