Lajme
KQZ i jep mandatin e deputetit Pandeli Majkos
Demokracia
17:26 | 04 Prill 2022

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka njoftuar sot se i ka dhënë mandatin e deputetit kandidatit të Partisë Socialiste, ish-kryeministrit, Pandeli Majko.

Majko zëvendëson deputetin e dorëhequr, Alqi Bllakos, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre me çështjen e impianteve të plehrave, të njohura si inceneratorët.

“Sot, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancë publike plotësoi vakancën e njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Komisioneri vendosi dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, z. Pandeli Sotir Majko”, ka thënë KQZ-ja në një njoftim në Facebook.

Pandeli Majko nuk arriti të fitonte një mandat në zgjedhjet e 25 prillit, pasi renditej në vendin e 20 të listës së socialistëve në kryeqytet dhe nuk mundi të thyente herësin që i nevojitej për të siguruar pjesëmarrjen në Kuvend.

Ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako u arrestuar javën e kaluar, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Të ngjashme