Lajme
KQZ e pakompletuar, Vjosa Osmani s’i emëron dy anëtarët e tjerë
Demokracia
20:44 | 14 Korrik 2021
Foto Ilustrim / KQZ

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka ende përbërjen e plotë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk i ka emëruar dy anëtarët e këtij komisioni, ani pse Gjykata Kushtetuese e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e saj.

Nga shoqëria civile thonë se është përgjegjësi dhe obligim kushtetues i Presidentes për të emëruar edhe dy anëtarët e KQZ-së, raporton Demokracia.com.

Por, sipas tyre në mungesë të publikimit të versionit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të ndërmerret asnjë veprim juridik.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësisë, për Demokracia.com ka thënë se pas përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese, është përgjegjësi dhe obligim kushtetues dhe ligjor i Presidentes për t’i emëruar edhe dy anëtarët e KQZ-së.

“Pas përgjigjes së Gjykatës Kushtetuese dhe me qëllim të kompletimit të KQZ me anëtarët e mbetur, është përgjegjësi dhe obligim kushtetues dhe ligjor i Presidentes për të emëruar edhe dy anëtarët e mbetur duke u bazuar në ligjin e aplikueshëm dhe praktikat e mëhershme. Ky obligim duhet të përmbushet pa vonesë duke përgjuar mesazhin në publik dhe tek partitë politike se Presidentja e shtetit i përmbush detyrimet e saj në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur”, tha Miftaraj.

Ndërsa, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për Demokracia.com se tashmë ka kaluar një kohë prej kur Gjykata Kushtetuese ka publikuar njoftimin për vendimin e saj lidhur me kërkesën e parashtruar nga ana e presidentes Osmani.

“Në këtë drejtim besoj që Gjykata Kushtetuese do të duhet që sa më shpejtë që të jetë e mundur të publikojë versionin e plotë dh të ua shpërndaj atë palëve në mënyrë që të ndërmerren hapat e nevojshëm për kompletimin e nevojshëm të KQZ-së, edhe pse formalisht KQZ-ja ka numrin e nevojshëm të anëtarëve për të miratuar edhe çështje për të cilat kërkohet një shumicë më e kualifikuar prej dy të tretave, sërish mos kompletimi i KQZ-së do ta ndikojë vendimmarrjen e këtij institucioni për shkak se subjektet e pakënaqura do të kenë më pak mundësi që të kundërshtojnë vendimet e KQZ-së dhe pikërisht duke u thirrur në mungesën e një anëtari tjetër. Ndërsa vetë kërkesën si të tillë të presidentes pra për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese e konsideroj si të pa vend, meqë ka qenë e ditur që gjykata nuk do të marrë ndonjë vendim tjetër krahasuar me një vendim pothuaj se të njëjtë të cilin e ka marrë para disa vitesh, kur e njëjta çështje ishte dërguar nga ish-presidenti Thaçi”, tha Cakolli.

Ai tregoi më tej se cilit subjekt politik do të duhet të i takojnë dy anëtarët e tjerë në KQZ.

“Prandaj me qenë se dispozitat janë të qarta, pra ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe fryma e normave në fuqi, bazuar në praktikën ndërkombëtare të komisionit të Venecias, përcakton që grupet parlamentare përfaqësohen në KQZ, pra pavarësisht fuqisë së tyre politike, që i bie se Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës duhet të kenë nga dy anëtarë secila, e që në rastin aktual nënkupton që anëtari i dytë duhet të emërohet nga PDK-ja si dhe në rastin e komuniteteve, mandati duhet të i takojë subjektit politik VAKAT, i cili ka numrin më të madh të votave, që merret si kriter i dytë për tu vlerësuar në rastin në fjalë. Me qenë se kemi tri grupe parlamentare të cilat e kanë nga një deputet secila”, tha Cakolli për Demokracia.com.

Demokracia.com ka kërkuar përgjigje edhe nga Presidenca, për emërimin e dy anëtarëve të KQZ-së, mirëpo të njëjtit janë deklaruar deri në publikimin e artikullit.

Kujtojmë se Presidentja e Kosovës ka emëruar muaj më parë tetë anëtarë të rinj të KQZ-së, ndërsa për dy të tjerë i është drejtuar Gjykatëse Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Kushtetuesja e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit kërkoi interpretim për ndarjen e vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) bazuar në grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend.

Kushtetuesja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se kërkesa nuk e ka plotësuar njërin kriter pasi kompetenca e Presidentes për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por vetëm me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përcjell Demokracia.com.

Tetë anëtarët e KQZ-së janë: Sami Kurteshi (LVV), Alim Rama (LVV), Arianit Elshani (PDK), Florian Dushi (LDK), Ibrahim Selmonaj (AAK), Gordana Laban Zuvić (LS), Rifat Krasniç (KDTP), Fazli Stollaj (IRDK).

Këta anëtarë janë propozuar nga grupet parlamentare dhe partitë politike parlamentare të komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme