Lajme
KQZ e lë pa kryetar partinë ‘GUXO’, deputeti i saj nuk është në dijeni
Demokracia
18:52 | 17 Tetor 2022

Share:

Deputeti i Listës Guxo që është nën ombrellën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejta nuk është në dijeni se kjo parti pritet të shkojë sërish në një kuvend të brendshëm zgjedhor për zgjedhjen e lidershipit partiak.

Kuvendi i kësaj partie, i datës 7 shtator 2022 në Prishtinë, po del të jetë zhvilluar jashtë rregullave që përcaktohen në rregulloret e brendshme të KQZ-së për regjistrimin dhe çertifikimin e partive politike.

I kontaktuar nga Paparaci, ligjvënësi i pushtetit u shpreh të hënën se as nuk është në struktura të ‘Guxo’.

Në anën tjetër, ai shtoi se ka pasur një takim me njërin prej kryetarëve të ‘Guxo’, njëherësh ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.

Vërejtja më e madhe e raportit është tek votimi dhe zgjedhja e dy Kryetarëve të partisë Guxo.

Madje sipas monitoruesve, kjo çështje u shtruar si shqetësim edhe nga disa pjesëmarrës por Donika Gërvalla arsyetoi se ka shembuj të tillë të partive me dy kryetarë edhe në Gjermani.

Por, ai tha se Peci i ka uruar vetëm mirëseardhje pasi u certifikua si deputet i Kuvendit të Kosovës, pasi Vasfije Krasniqi dha dorëheqje nga kjo pozitë javë më parë për shkaqe shëndetësore.

“Nuk jam në strukturë. Kam pasur një takim me kryetarin Peci, kemi biseduar më ka uruar mirëseardhje. Nuk e di pasi unë nuk jam në strukturë. S’jam në dijeni për këtë çështje të KQZ’së”, tha ai.

Për dallim nga ai, kolegu i tij, Haxhi Avdyli ishte i shkurtër në përgjigjen e tij ndaj Paparacit.

Avdyli theksoi se ishte i nxënë dhe se nuk ka kohë për të biseduar.

“Jam pak i nxënë në një mbledhje. Dëgjohemi më vonë”, tha ai shkurt për Paparacin.

Të hënën u publikua një raport, ku thuhet se me datën 13 shtator 2022, përfaqësuesi i partisë politike GUXO ka dorëzuar në Zyrë materialet nga Kuvendi, dhe tek pjesa e njoftimit të ndryshimeve, në pjesën ku duhet të nënshkruhet Kryetari, është nënshkruar Faton Peci.

“Sipas shpjegimit të përfaqësuesit të partisë politike Guxo, votimi i dy Kryetarëve ishte më shumë veprim politik dhe se në arenën politike Guxo do të përfaqësohet nga dy Kryetarë, Donika Gërvalla Schwarz dhe Faton Peci, të cilët janë votuar në Kuvend ndërsa ligjërisht Guxo përfaqësohet vetëm nga Faton Peci” thuhet në raport.

Në rekomandimet e mëtejshme të Zyrës, thuhet se ndryshimet e statutit dhe përshtatshmëria ligjore nuk janë në përputhje me Rregullën 01/2013, pra konsiderohet si shkelje.

“Zyra vlerëson që ndryshimi i Statutit të partisë politike për të lejuar partinë të ketë më shumë se një Kryetar, është shkelje e Rregullës 01/2013 për Regjstrimin dhe veprimin e partive politike, më saktësisht e çdo neni ku përmendet Kryetari si një person i vetëm. Pra kjo Rregullë në asnjë nen nuk e thekson mundësinë që një parti politike e regjistruar mund të ketë më shumë se një kryetar” thuhet në raport mbi punën e Kuvendit Zgjedhor të Partisë Politike GUXO, i datës 14 shtator 2022.

Në fund, Zyra rekomandon që Statuti legjitim i partisë politike Guxo të konsiderohet ai me të cilin është regjistruar partia politike.

Zyra për Regjistirmin e Partive Politike të KQZ-së i rekomandon partisë politike Guxo që brenda 45 ditësh të sigurojë zgjedhjen e një Kryetari të vetëm të partisë politike në përputhje me Statutin e partisë politike.

Të ngjashme