Historiani serb Millosh Koviq, thotë se sipas tij në Kosovë asgjë nuk ka ndryshuar, nuk ka sundim të ligjit e siguri pronësore.
Këtë pretendim ai e arsyeton me refuzimin e autoriteteve të Prishtinës për të formuar Asociacionin, dhe refuzimin për t’ia kthyer tokën Manastirit të Deçanit.
“Nuk ka dyshim se vendet e Perëndimit politik herë pas here ushtrojnë presione të caktuara mbi Prishtinën, por nëse do të kenë sukses në këtë është një pyetje e madhe’’, thotë Koviq, raporton Kosovo Online.
Ai shton se sipas tij Kurti dhe as autoritetet lokale në Deçan nuk duan të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se, siç thotë ai, kjo tregon se kokëfortësia dhe mospërputhja e Kurtit, si dhe refuzimi i tij për të bashkëpunuar me Perëndimin, janë të mira për interesat e Serbisë.
“Është pikërisht kjo papajtueshmëri e Kurtit për disa çështje kyçe që i mundëson Serbisë të fitojë kohë dhe të tregojë se cila palë në fakt nuk është e gatshme për dialog dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara. Pavarësisht se sa e tmerrshme duket paligjshmëria, ajo në fakt vërteton se asgjë nuk ka ndryshuar në Kosovë”, thotë Koviq.
Koviq gjithashtu thotë se sipas tij Manastiri i Deçanit është ‘’gjembi në këmbë’’ i qeverisë Kurti, dhe shton se nuk është një manastir i zakonshëm, por e cilëson si ‘’zemra dhe mendja e serbëve të Kosovës’’.