Lajme
Kovaçevski nga Tirana: E avancojmë bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, në rrugën drejt BE-së
Demokracia
18:46 | 17 Korrik 2023

Share:

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski bashkë me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi sot në Tiranë morën pjesë në takimin joformal të kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Komisarin evropian për politikë të fqinjësisë dhe zgjerim, Oliver Varheji.

Siç informojnë nga Qeveria, në takimin e eurokomisarit Varhelyi me kryeministrat e Shqipërisë Edi Rama, atë të Serbisë Ana Bërnabiq dhe Malit të Zi Dritan Abazoviq është diskutuar për tema në drejtim të përgatitjes së takimit të Procesit të Berlinit që do të mbahet në tetor në Tiranë, pasi këtë vit Shqipëria kryeson Procesin e Berlinit.

“Temat kryesore që diskutuam kanë qenë plani i BE-së për integrimin e përshpejtuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili bazohet në disa shtylla bazë dhe ajo është, e para, afrimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së. E dyta rritja e fondeve për financimin e projekteve të rëndësishme rajonale. E treta është rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe integrimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e katërta përshpejtimi i reformave kyçe në secilin prej vendeve”, ka thënë Kovaçevski.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për një plan ambicioz, një agjendë ambicioze për të cilën, siç thuhet në kumtesën e qeverisë, “do të punojmë të gjithë së bashku dhe ajo që do të jetë gjithashtu pjesë e punës në periudhën deri në tetor dhe pas kësaj është edhe ratifikimi dhe vendosja në funksion e marrëveshjeve të nënshkruara në takimin e Berlinit vitin e kaluar për të cilat vendet tashmë janë duke punuar, këtu mendohet kryesisht në njohjen reciproke të diplomave, si dhe marrëveshjeve të tjera që janë nënshkruar në kuadër të iniciativës së Procesit të Berlinit, marrëveshje të cilat janë deponuar në Ministrinë tonë të Jashtme”.

Të ngjashme