Fituesi i Eurovisionit të vitit të kaluar, këngëtari zviceran Nemo, u rikthye këtë vit në skenën e madhe të finales, ku performoi jashtë konkurrencës. Ai interpretoi këngën e tij të re “Unexplainable”, ndërsa tërhoqi vëmendje të madhe me veshjen unike që kishte zgjedhur për këtë dalje.
Përmes disa fotografive të publikuara në Instagram, Nemo zbuloi se kombinezoni i tij ishte zbukuruar me plot 55 mijë kristale Swarovski. “Rezultati është një siluetë që ndriçon – përfaqësim i ndjeshmërisë dhe sfidës që ndodhen në zemër të së pashpjegueshmes”, shkroi ai në përshkrimin e postimit. Kristalet Swarovski ishin pjesë edhe e veshjes së tij të parë, një fustan i bardhë që ngjante me një fustan nusërie.
Postimi i tij mori afro gjashtë mijë pëlqime brenda një kohe të shkurtër. Ndër komentet e para ishte edhe ai i motrës së tij, Ella Mettler, e cila e quajti “të mrekullueshëm”. Fansat nuk kursyen lavdatat: “Performanca jote atë mbrëmje meriton gjithë dashurinë dhe mbështetjen”, “Paraqitja jote e dytë ishte brilante”, “Nemo, je absolutisht i mahnitshëm”, “Nuk e dija që mund të të admiroja edhe më shumë”, “Gjithçka rreth teje është e përsosur”.
Nemo u ngjit dy herë në skenën e finales së Eurovisionit. Fillimisht interpretoi këngën fituese të vitit të kaluar “The Code”, ndërsa më pas solli këngën e re “Unexplainable”.
Megjithatë, kjo e fundit nuk u prit me të njëjtin entuziazëm nga publiku – shumë komentues në rrjetet sociale e cilësuan performancën si “të mërzitshme”. “Çfarë po shoh unë?”, “Në rregull, por çfarë është kjo?”, ishin disa nga reagimet në platformën X (ish-Twitter).
Kujtojmë se këtë vit fitues i Eurovisionit u shpall austriaku JJ me këngën “Wasted Love”, e frymëzuar nga një ndarje e dhimbshme dhe ndjenjat që vijnë kur ia dorëzon dikujt zemrën, por ai/ajo nuk e vlerëson. Trofeun fitues ia dorëzoi pikërisht Nemo, i cili përqafoi pasardhësin e tij me emocion.