Lajme
KOSTT: Detyrimi nga ZRRE për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës na solli në prag të falimentimit
Demokracia
20:16 | 28 Janar 2022
Ilustrim

Share:

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) gjatë procesit të konsultimit publik, në kuadër të Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, deri më tani ka pranuar komente nga palë të ndryshme të interest.

ZRRE ka publikuar komentet e Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO, shkruan Demokracia.com.

Në komentet e KOSTT thuhet se çmimi mesatar i parashikuar i humbjeve në transmetim prej 108.16 €/MWh, për vitin 2022 është çmim shumë i ulët në krahasim me çmimet aktuale gjatë muajit janar në bursat e energjisë elektrike në rajon dhe Evropë.

“Gjatë këtij muaji deri më tani kostoja e humbjeve në transmetim ka arritur rreth 4 milionë euro, që ende pa përfunduar muaji ka arritur pothuajse një të tretët e kostos së tërë vitit”, thuhet në komentin e KOSTT.

Sipas KOSTT detyrimi i vendosur nga ZRRE për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës e ka sjellë këtë kompani në prag të falimentimit.

“Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 ka arritur vlerën prej 40,849,659 euro. Nga Qeveria e Kosovës janë mbuluar rreth 7,673,462 milionë euro, pjesa tjetër prej 33,176,197 euro është mbuluar nga buxheti i KOSTT sipas udhëzimeve të Parlamentit të Kosovës. Si rrjedhojë, Bilanci i Suksesit të kompanisë me 31 dhjetor 2021, paraqitet negativ, pra me humbje rreth 25 milionë euro. Të gjitha parashikimet financiare për vitin 2022 me skenarët ku obligimi i mbulimit të humbjeve në pjesën veriore i mbetet KOSTT pa të hyra për këtë kosto, e sjellin kompaninë në prag të falimentimit në tremujorin e parë të vitit 2022”, thuhet në komentet e KOSTT.

KOSTT kërkon nga ZRRE që urgjentisht të ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës nga Licenca për Operatorin e Sistemit të Transmetimit ose të gjejë një mekanizëm tjetër të mbulimit të kësaj kostoje.

“Nëse vazhdohet ky trend, parashikimet financiare e vendosin kompaninë në prag të falimentimit në tremujorin e parë të këtij viti. KOSTT kërkon nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që gjatë procesit të vendosjes së të hyrave dhe kostove për këtë vit të merret parasysh ndër të tjera edhe likuiditeti i kompanisë”, thuhet ndër të tjera në komentin e KOSTT dërguar ZRRE-së.

Kujtojmë se ZRRE ka propozuar që kostot shtesë të mbulohen përmes tarifës së bllokut progresiv.

Sipas të dhënave në raport i publikuar ditë më parë, propozimi i ZRRE-së për mbulimin e kostove është për rritje të tarifave prej 9 për qind.

Sipas këtij propozimi, fatura me konsum mesatar prej 450 kWh do të rritet për 2.29 euro në muaj. Ndërsa, fatura me konsum deri në bllok për 3.06 euro në muaj. Rritja për konsum që tejkalon bllokun 600 kWh është më e ndjeshme për shkak se reflekton çmimin e importit dhe për konsum mujor 800 kWh rritet për 26.98 euro. Ndërkaq, për konsum mujor prej 1000 kWh, me 50.89 euro.

ZRRE-ja ka propozuar që kostot shtesë të mbulohen përmes një strukture tarifore me dy blloqe, të ndara në kufirin 600kwh, pasi që deri në këtë nivel të konsumit mujor konsumatorët mund të furnizohen nga kapacitetet vendore dhe me tarifë mesatare të ngjashme me tarifën ekzistuese.

“Në këtë mënyrë, tarifat për konsumin në bllokun e parë reflektojnë koston mesatare të ofrimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore. Ndërkaq për konsumatorët që konsumojnë mbi 600 kWh duhet të importohet energji, pasi që kjo nuk mund të ofrohet nga kapacitetet vendore. Rrjedhimisht tarifa për këta konsumatorë duhet të reflektojë çmimin e importit për energjinë e konsumuar mbi 600 kWh”, thuhet në raportin e ZRRE-së.

Ndërkohë, çmimet e energjisë elektrike nuk do të jenë aspak të ulëta, derisa Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë i ka ndarë konsumatorët në pesë kategori: A, B, C, D dhe E.

Nëse jeni në kategorinë A dhe shpenzoni deri në 300 kWh, fatura aktuale e juaja është 19.97 euro, por me rritjen e çmimit të energjisë elektrike ajo do të bëhet 20.40 euro.

Nëse jeni në kategorinë B, ju shpenzoni 450 kWh dhe fatura e juaj aktuale është 27.37 euro, tani do të bëhet 29.66 euro.

Nëse shpenzoni deri në 600 kWh, jeni në kategorinë C dhe fatura e juaj aktuale është 35.86 euro, me çmimet e reja, ajo bëhet 38.92 euro.

Nëse jeni në kategorinë D, ju shpenzoni deri në 800 kWh, fatura aktuale është 47.19 euro, por me rritjen e çmimit fatura bëhet 74.17 euro.

Nëse jeni në kategorinë E ju shpenzoni deri në 1000kWh dhe fatura aktuale është 58.52 euro, ndërsa me rritjen e çmimit, fatura bëhet 109.42 euro./Demokracia.com/

Të ngjashme