Kombëtarja e Kosovës do të ballafaqohet me Jordaninë më dhjetë nëntor (e mërkurë), në një ndeshje miqësore.
Ndeshja fillon në orën 18:00 dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Në prag të kësaj sfide, grupi i tifozëve “Dardanët”, përmes një postimi në “Facebook” kanë bërë thirrje që stadiumi të mbushet me tifozë për ta përkrahur ekipin, përkundër që sipas tyre rezultatet pozitive janë duke munguar.“Kosova zhvillon ndeshjen e fundit të vitit në stadiumin “Fadil Vokrri”, si nikoqire e Jordanisë. Ndeshje e karakterit miqësor, por që nuk e zbeh rëndësinë për tifozët dhe vetë kombëtaren. Me shpresën që do të shohim shkëndijat e para të rikëndelljes, iu ftojmë që ta përkrahim ekipin tonë kombëtar sa më masivisht, përkundër rezultateve dhe frymës jo-optimale. Askund nuk është e shkruar që kombëtarja të mbështetet vetëm në faza ekzaltuese të fitoreve. Përkundrazi, tani më shumë se kurrë duhet t’u qëndrojmë pranë. Edhe në ndeshje miqësore, si kjo e ditës së mërkurë, në ora 18:00, ndaj Jordanisë. Besa, besë – Kosovë!”, thuhet në thirrjen e “Dardanëve”. /Demokracia.com