Lajme
Kosovari që vrau dy prindërit e tij në Prizren, pritet të dënohet me burg të përjetshëm
Demokracia
14:10 | 21 Mars 2021

Share:

Muaj më parë, kosovari 36-vjeçar është arrestuar për krimin që kreu në Kosovë.

Kosovari që qëlloi për vdekje të dy prindërit që kishin ardhur për pushime nga Suedia në Kosovë, pritet të shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm.

36-vjeçari nga Prizreni, A.H., mund ta kalojë gjithë pjesën e mbetur të jetës në burg. Shqiptimin e një dënimi të tillë për shqiptarin e ka kërkuar prokuroria suedeze.

Ai akuzohet se ka vrarë prindërit e tij, D.H. (babai) dhe S.H. (nëna), në fund të janarit të vitit të kaluar.

Kujtojmë se çifti me nënshtetësi suedeze kishte ardhur në Kosovë për pushime, por më pas ishin gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre në lagjen Ortakoll të Prizrenit.

Prokurori i rastit në Suedi, Olof Calmvik, ka thënë se vendimi për 36-vjeçarin do të merret javën që vjen, transmeton tutje albinfo.ch.

Calmvik ka deklaruar se ka kërkuar burgim të përjetshëm për A.H.

“Kur mbaruan procedurat në gjykatë, kërkesa ime ishte burgim i përjetshëm”, thuhet në përgjigjet e prokurorit.

Por, para se të merret vendimi përfundimtar për të, do të vlerësohet edhe shëndeti mendor i A.H.

Në fund të janarit të vitit të kaluar, vendi ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë që kishte ndodhur në Prizren. Brenda shtëpisë së familjes H. në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur D.H dhe S.H. Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime. Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre A.H, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas rastit. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar. /Demokracia.com/

Të ngjashme