Lajme
Kosovarët paguajnë dyfish rrymën| Gazsjellësi i refuzuar nga Kurti ka gaz të mjaftueshëm për gjithë Europën
Demokracia
15:13 | 12 Mars 2022

Share:

Gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës refuzoi ndërtimin e projektit të rrjetit të gazit natyror, i njohur si Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), i cili ishte përkrahur edhe nga Administrata Amerikane. Arsyetimi i qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti ka qenë se nuk është e interesuar aktualisht për një rrjet të gazit që e lidhë vendin me Maqedoninë e Veriut.

Refuzimi i këtij projekti kishte nxitur debat në vend, pasi Qeveria po e refuzonte një projekt që përkrahej nga SHBA-ja dhe ishte me interes për vendin, sepse qytetarëve do t’u mundësohej të paguanin më pak për energjinë elektrike, përcjell Demokracia.com.

Kosova aktualisht nuk ka asnjë investim që lidhet me energjinë e krahas kësaj situate, qytetarët po detyrohen të paguajnë dyfish më shumë faturat, pas miratimit të tarifave të reja nga ZRRE-ja dhe përkrahjes së këtij vendimi nga Qeveria Kurti.

Tubacionet e gazsjellësit TAP fillojnë nga Azerbajxhani, kalojnë në Greqi, më pas në Shqipëri dhe shkojnë deri në jug të Italisë, raporton Demokracia.com.

SHBA-ja në buxhetin e ri të propozuar nga presidenti Joe Biden kishte vendosur që t’i ndajë Kosovës rreth 200 milionë euro në kuadër të MCC-së. Në këtë vlerë përfshihej edhe ndërtimi i infrastrukturës së gazit. Pavarësisht kësaj, Qeveria e Kosovës e refuzoi një projekt të tillë, përcjell Demokracia.com.

Sidoqoftë, gjatë ditës së shtunë, Ministria e Energjisë së Azerbajxhanit ka deklaruar se vendi ka rezerva të mjaftueshme gazi për furnizim në Europë.

Veç kësaj, të njëjtit kanë theksuar se nëse është e nevojshme, furnizimi me gaz mund të rritet edhe në vende të tjera fqinje.

Ky njoftim vjen pak kohë pas rritjes së tarifave energjetike në Kosovë, gjë e cila shkaktoi shqetësim të madh te qytetarët, përcjell Demokracia.com.

Sipas vendimit të ri, konsumatorët me mbi 800 kilovat do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Tarifat e reja kanë hyrë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023. /Demokracia.com/

Kosova refuzon projektin për gazin

Të ngjashme