Pushuesit që nxitojnë për të zbritur nga avioni në Turqi tani do të përballen me gjoba nëse ngrihen në këmbë ende pa u ndalur avioni.
Udhëtarët që kapen duke u ngritur dhe duke ecur në hapësirën e avionit, përpara se të vijë radha e tyre për të zbritur, mund të detyrohen që t’ua paguajnë një gjobë rreth 70 dollarëshe autoriteteve turke, raportojnë mediat e huaja.
Autoriteti i aviacionit civil në Turqi, vend ky që edhe kosovarët e vizitojnë shumë, po shpreson që t’i ndalojë pasagjerët që nxitojnë drejt derës, para se avioni të ndalet plotësisht.
Është propozuar që linjat ajrore t’u bëjnë me dije pasagjerëve që duhet të qëndrojnë ulur, edhe pasi të fiket sinjali i rripit të sigurimit, derisa t’u vijë radha për të zbritur nga avioni.
“Sipas rregullores, linjat ajrore janë të detyruara t’u kujtojnë pasagjerëve të mbajnë të lidhur rripin e sigurimit gjatë dhe pas uljes, deri sa të arrijnë pozicionin e parkimit, dhe të theksojnë qartë se çdo shkelje do të raportohet tek autoriteti i aviacionit dhe do të vendoset gjobë,” – raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Turkish Airlines, linja ajrore kryesore e vendit që fluturon në 131 vende, ndërsa edhe linja të tjera rajonale si Emirates dhe Qatar Airways, thuhet se po shqyrtojnë vendosjen e rregullit për të qëndruar ulur.
Nxitimi për të zbritur nga avioni nuk është zakoni i vetëm i keq që hasin linjat ajrore nga udhëtarët. Tani linjat ajrore po marrin masa edhe ndaj të ashtuquajturve “gate lice” – ata pasagjerë që rrinë pranë portës së imbarkimit me bagazhet në dorë në përpjekje për të hyrë të parët në avion.
American Airlines është një prej linjave që po teston teknologji të re për të forcuar grupet e imbarkimit dhe për të ndaluar radhët e padrejta te porta.