Sport
Kosova U16 me fitore bindëse ndaj San Marinos në turneun zhvillimor të UEFA-s në Tiranë
Demokracia
14:44 | 20 Prill 2025

Share:

Kombëtarja e Kosovës U16 ka shënuar fitore bindëse në ndeshjen e parë të turneut zhvillimor të UEFA-s, që po mbahet në Tiranë, duke e mposhtur San Marinon me rezultat 7:0.

Të përzgjedhurit e Mehmed Kurdës zhvilluan një paraqitje shumë të mirë, duke dominuar gjatë gjithë ndeshjes dhe duke treguar cilësi të lartë në lojë kolektive dhe individuale.

Serinë e golave e hapi Aron Babaj në minutën e 9-të, pas një asistimi nga Unejs Mustafa. Në minutën e 20-të, Andi Kelmendi dyfishoi epërsinë, këtë herë me asistim nga vetë Babaj. Vetëm dy minuta më vonë, Unejs Krasniqi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e çuar rezultatin në 3:0. Para përfundimit të pjesës së parë, Unejs Mustafa shënoi edhe golin e katërt në minutën e 47-të.

Edhe në pjesën e dytë, loja e Dardanëve të rinj ishte po ashtu shumë e mirë, ndërsa u shpërblye edhe me tre gola të tjerë. Lorent Aliu realizoi në minutën e 80-të pas një asistimi nga Leon Ademi, ndërsa Edi Gajtani shënoi në minutën e 83-të. Fitorja u vulos në minutën e 86-të me golin e Bebart Selmanit, pas asistimit të Albion Rexhepit.

Pas ndeshjes, përzgjedhësi Mehmed Kurda u shpreh i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve të tij:

“Sot patëm një paraqitje shumë të mirë në ndeshjen e parë të këtij turneu. Në pjesën e parë u treguam mjaft efikas duke shënuar katër gola. Në pjesën e dytë rezultuan të suksesshme edhe zëvendësimet. Madje loja e paraqitur ishte edhe më e mirë. Shpresoj që edhe në dy ndeshjet e tjera të kemi paraqitje të mira dhe të triumfojmë në këtë turne”.

Ndeshjen e dytë Dardanët U16 e luajnë më 22 prill kundër Andorrës, derisa në fund më 25 prill luajnë kundër Shqipërisë.

Të ngjashme