Sport
Kosova u tregua e “etur” në mars, punën e vërtetë të Giresses e shohim në qershor, thotë ish-futbollisti kosovar
Demokracia
17:29 | 30 Mars 2022

Share:

Starti i Kombëtares së Kosovës në “epokën” e trajnerit francez të emëruar vetëm pak kohë më parë, Alain Giresses ka qenë pozitiv. Kjo bazuar në dy ndeshjet e para që “Dardanët” zhvilluan nën drejtimin e francezit 69-vjeçar.

Kosova më 26 mars demoloi gjysmëfinalisten e Kupës së Kombeve të Afrikës, Burkina Fason me rezultat 5:0 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Pesë ditë më vonë, futbollistët e Kosovës barazuan 1:1 me Zvicrën, reprezentacionin e 14-të më të mirë të botës, sipas ranglistes së fundit të FIFA-së.

Duke parë këto rezultate, Kosova tregoi se është gati për startin e Ligës së Kombeve në muajin qershor ku bën pjesë në Grupin 2 të Ligës C së bashku me Qipron, Greqinë dhe Irlandën e Veriut.

Taulant Dajaku, ish-lojtari kosovar dhe njohës i mirë i futbollit në një bisedë me Demokracia.com tha se ndeshjet e muajit mars kanë shërbyer më shumë për njohjen mes trajnerit të ri dhe lojtarëve

Sipas tij, futbollistët e Kombëtares kosovare ishin të “etur” për të bërë paraqitje të mirë në fushë.

Kanë qenë dy ndeshje që më shumë kanë shërbyer si njohje e trajnerit me lojtarët, sesa që mund ta quajmë meritë e selektorit në këto dy performanca. Në aspektin psikologjik duket një ringjallje, sepse lojtarët janë shfaqur me potencial të plotë dhe të etur për t’u shfaqur mirë. Në aspektin e menaxhimit sportiv guximi i trajnerit duhet vlerësuar për gjithpërfshirjen e lojtarëve, ndërsa kujdesi që duhet të kemi është në cilësimin mbi arritjet që mund të kemi, sepse këtë gjë duhet ta bëjmë pas analizës që Giresse do jap dhe pasi të caktoj ambiciet që mund të aspirojmë me këtë grup lojtarësh meqë tashmë i ka parë”, ka thënë ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Taulant Dajaku për Demokracia.com.

Dajaku tutje theksoi se muaji qershor do ta tregojë më së miri punën e Alain Giresses, trajnerit të Kosovës.

“Varësisht nga pritshmërit që do na i shpalos selektori neve, duhet të shohim në qershor (Liga e Kombeve) punën e vërtetë që përzgjedhësi Giresse ka bërë”, vazhdoi ai, duke shtuar:

Në përgjithësi duhet ta ruajmë këtë entuziasëm, por jo deri në masën që të rrezikojmë të na dëmtoj, pasi duhet të jemi të fokusuar që çdo ndeshje të kemi përqendrim dhe dëshirë për sukses. Uroj që kjo gjë të jetë vazhdimësi për Përfaqësuesen tonë”, tha për fund Dajaku.

Kosova më 2 qershor udhëton në Qipro për ta zhvilluar ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve. Tri ditë më vonë, në Prishtinë, Kosova i bën “konak” Greqisë.

Kosova pesë ditë më vonë sërish luan në “Fadil Vokrri”, por me një kundërshtar tjetër, Irlandën Veriore. E krejt në fund, Kosova përballet edhe njëherë tjetër me Greqinë, veçse më 12 qershor merr rrugën për në Athinë. /Demokracia.com/

Të ngjashme