Lajme
Kosova sistemon të gjitha rekomandimet e Raportit të Juristëve Eminentë të Këshillit të Evropës
Demokracia
09:29 | 19 Dhjetor 2023

Share:

Këtë të marte Grupi Koordinues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka mbajtur takimin e dytë ku është vlerësuar progresi në procesin e anëtarësimit në KiE.

Në fjalën hyrëse para të pranishmëve, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshik Ahmeti, ka vlerësuar se që nga momenti i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE procesi pati një rrjedhë të suksesshme.

“Raporti i Juristëve Eminent, i cili sipas procedurës në fuqi dhe praktikave, ka për qellim të trajtojë nëse sistemi ligjor i Republikës së Kosovës është në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës, e konfirmoi një gjë të tillë, duke theksuar madje se në disa çështje sistemi ligjor i Kosovës tejkalon standardet ndërkombëtare”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, Kosova ka sistemuar të gjitha përfundimet dhe rekomandimet e dala nga Raporti i Juristëve Eminentë.

“Kjo është edhe një shenjë që tregon seriozitetin e institucioneve të Kosovës për të shënuar progres të brendshëm dhe për ta përmbyllur sa më parë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, nga ku do të derivojnë të drejta dhe përfitime për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës, e veçanërisht për komunitetet pakicë”, ka thënë Zëvendësministri Ahmeti.

Në adresimin e saj para përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, tha se në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dominon një atmosferë mjaft pozitive ndaj këtij procesi dhe se Kosova është pothuajse në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Si udhëheqëse e delegacionit të Kosovës qysh nga takimet që kemi pasur në qershor të vitit 2021 ka pasur një qasje shumë pozitive sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka thënë nënkryetarja Bogujevci, duke theksuar se Republika e Kosovës ka dëshmuar se qëndron më mirë se edhe vetë disa shtete që janë shtete anëtare të Këshillit të Evropës.

“Qeveria e Kosovës duhet ta braktisë kundërshtimin e saj ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke vënë në jetë një mekanizëm të tillë, të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit, dhe të mirëmbajë pavarësinë e gjyqësorit, duke u përmbajtur nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor”.

Këto janë vetëm disa nga të gjeturat e raportit të avokatëve eminentë të Këshillit të Evropës, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert, të cilat Kosova duhet t’i përmbushë gjatë rrugës për anëtarësim në këtë organizëm ndërkombëtar.

Të ngjashme