OpEd
Kosova, qendra e universit të zonjës së papërkulur Albright
Demokracia
09:30 | 24 Mars 2023

Share:

Homazh për sekretaren amerikane Albright me rastin e një vjetorit të vdekjes së saj dhe 24 vjetorit të fillimit të bombardimit të NATO-s

KOSOVA, QENDRA E UNIVERSIT TË ZONJËS SË PAPËRKULUR ALBRIGHT

Ismail Syla

Njëra ndër personalitetet më të rëndësishme botërore për lirinë e Kosovës padyshim që është ish sekretarja amerikane Madeleine Albright (15 maj 1937 – 23 mars 2022). Preokupimi i saj me çështjen e Kosovës, vënia në lëvizje e mekanizmave diplomatikë dhe ushtarakë që kulmuan me bombardimin e NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore në Serbi janë dëshmia më e gjallë për rolin e personaliteteve në histori, për ndryshimin e saj, për krijimin e realiteteve të reja me vlerë universale. Ajo është shembulli më i mirë i sintetizimit të vlerave të demokracisë, humanizmit në shkallë planetare, simbol i “kombit të domosdoshëm”, i Shteteve të Bashkuara të Ameriksës (shprehje e B. Clinton, 586).

Në librin e saj biografik “Zonja Sekretare”, (Botimet Dudaj, Tiranë) në kapitullin 23 “Problemi qëndron te Millosheviçi” dhe atë të 24 “Kosova – diplomacia dhe kërcënimi për përdorimin e saj”, jepet hollësisht rruga përshkuese e diplomacisë amerikane dhe funksionalizimi i segmentit ushtarak në shpëtimin e Kosovës nga lufta e hapur 1998 – 1999. Çuditërisht, magjia e numrave të këtyre dy kapitujve lidhet me datën e vdekjes së z. Albright, 23 mars 2022 dhe me fillimin e bombardimeve, 24 mars 1999.

Rruga diplomatike që përshkon vendosmëria e sekretares së shtetit amerikan, ku në qendër është Kosova, është kjo:

Prekazi dhe Grupi i Kontaktit

Madeleine Albright që në kohën kur kishte qenë ambasadore e SHBA-së në OKB kishte vërejtur dobësi të OKB-së, por edhe të vetë administratës së shtetit të saj në qasje ndaj krizave në vende të ndryshme të botës. Në funksionin si sekretare e Shtetit në mandatin e Presidentit Bill Clinton, ajo merr guximin që të ndërhyjë pa pardon, të tregojë integritet dhe autonomi, të dëshmojë kreativitet për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare. Ajo arrin të rrafshojë pengesat që dalin qoftë nga segmentet e Këshillit i Sigurisë Nacional (Berger) qoftë nga sekretari i Mbrojtjes (Cohen) e lëre më nga diplomacia e lartë e shteteve evropiane.

Albright si sekretare kishte trashëguar botën me diktatorë si Sadam Husein, M. Gadafi, F. Kastro, A. Khomein etj. Kësaj katërshe iu shtua edhe kasapi i Ballkanit në Evropë, Sllobodan Millosheviç, me veprime të dhunshme që nga viti 1998 ( 441). Ajo e ka të qartë historinë e Kosovës në raport me të gjitha etapat historike, që nga koha e Mbretërisë së Jugosllavisë e deri në periudhën kur kishte filluar lufta, gjatë së cilës Beogradi zyrtar po aplikonte doktrinën e tokës së djegur, të zhvendosjes së popullatës, masakrave dhe dëbimit të popullatës shqiptare jashtë tokave të tyre. Për Albright teza serbe se Kosova është zemra e Serbisë është anakronike, sepse Kosova “prej shumë kohësh ishte futur me zor në një trup të huaj.” (442).

Sulmi brutal i policisë serbe në Prekaz të Drenicës më 5 mars 1998 është ngjarje e cila nuk mund të kalohej as në heshtje, as me indiferencë. Sipas Albright, rasti i Prekazit në fund shekullin njëzet nuk mund të ishte incident i izoluar, por ishte tragjedi me “ndikim në shkallë botërore”(442), sepse “Kjo qe dhuna më e egër në këtë krahinë që nga Lufta e Dytë Botërore.” (441).

Për atë që në mendësinë tonë kombëtare, historike dhe kulturore njihet me të drejtë si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (5, 6 dhe 7 mars), sekretarja amerikane thotë: “Vrasjet në Prekaz ma krijuan një lloj parandjenje të keqe, por ma shtuan vendosmërinë. Mendoja se Millosheviçit duhej t’i ndalej dora menjëherë” (444).

Epopeja e Prekazit është ngjarja më e rëndësishme në rrafshin kombëtar që ndikoi në popullarizimin dhe përhapjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në rrafshin ndërkombëtar, e vuri në lëvizje Grupin e Kontaktit. Në mbledhjen e Londrës, zonja Albright ishte pakënaqur, e kësaj pakënaqësie, sipas saj, sikur i përgjigje salla në “Lancaster House”, ku disa vjet më parë ishte mbajtur një mbledhje e të pafrytshme për Bosnjën. “Paralajmërova se çështja e Kosovës do të kishte pasoja në të gjithë rajonin. Nuk mund t’i lejonim serbët ta quanin atë çështje të brendshme të tyre” (445). Ndërkaq, pavarësisht prej ndonjë luhatjeje të evropianëve dhe refuzimin mekanik të përfaqësuesit rus, M. Albright shpalos vendosmërinë e saj: “Përfaqësuesi rus kishte udhëzime të kundërshtonte çdo masë ndëshkimore… Kisha ardhur në mbledhje e përgatitur t’i parashtroja qartazi pikëpamjet e mija të papërkulura.” (445).

Albright si sekretare vepron me energji dhe vendosmëri të madhe edhe në mbledhjen e dytë të Grupit të Kontaktit të mbajtur në Bon, më 25 mars 1998. Diplomacia perëndimore ende nuk i kishte ndezur mirë motorët. Çdo hezitimi të vendeve perëndimore, i shtohej edhe qëndrimi i hapur “kundër” i përfaqësuesit rus: “Afërmendsh, Rusia do të ishte e vështirë, ndërsa Franca dhe Gjermania thuajse nuk ishin kurrë të gatshme të përballeshin me Moskën. Italianët bënin mjaft biznese me serbët dhe nuk i donin sanksionet. Në këto kushte Millosheviçi e kishte fare të lehtë t’i ç’mobilizonte këto vende me gjeste bindëse e fjalë boshe.” (446). Albright është e vetëdijshme se qeveria amerikane duhej ta udhëheqë marrëveshjen e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë në tryezat diplomatike.

Abright dhe NATO

Madeleine Albright ishte shumë e vendosur për ta forcuar idenë për domosdoshmërinë e përdorimit të forcës, qoftë brenda qeverisë amerikane, qoftë në Evropë. Në bisedë me Sandy Berger-in në një sallë të Krahut Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë ajo ka një polemikë të fortë me sekretarin për siguri kombëtare. Për Berger bombardimi në zemër të Evropës ishte çmenduri. “Bombardime në mes të Evropës ? –… paskeni luajtur mendsh.” (447).

Deklaratën e Presidentit Bush të Vjetër të njohur si “kërcënimi i Kërshëndellave”, të bërë në fund të mandatit, Albright e konsideron si fill shumë të mirë, që duhet të forcohet dhe të materializohet në praktikë përgjatë mandatit të saj dhe në bazë të zhvillimeve akute. Ajo nuk duron ndryshime semantike, qoftë në rezoluta, qoftë në prononcime për zhvillimet e vitit 1998. Sipas saj ka dallim esencial midis kërcënimit faktik të Millosheviqit me bombardim (1992) dhe sintagmës “asgjë nuk përjashtohet” (1998), në kuptim të gjerë të masave sanksionuese etj.por që nuk e zëvendësojnë kërcënimin e drejtpërdrejt ushtarak. Albright e ka të qartë se një dallim në nuanca të tilla nga Rusia dhe Millosheviçi lexohet si dobësi dhe qëndrim jo serioz (447). Prandaj ajo thotë: “Nuk duroj dot më! Sa herë që dikush flet për përdorimin e forcës, fillojnë sulmet personale. Para pesë vjetësh, kur propozova përdorimin e forcës në Bosnjë, Tony Lake–i nuk më la asnjëherë ta çoja deri në fund arsyetimin tim. E po tani që jam sekretare e Shtetit, do të këmbëngul të paktën që kjo çështje të shtrohet për diskutim! (447). (Alibright shkruan edhe për mospajtimet me sekretarin Cohen dhe gjeneralin Shelton)

Duke parë çalimet dhe mosfunksionimin si duhet brenda Grupit të Kontaktit pas pranverës 1998 Albright nuk varet më vetëm në diplomacinë përmes e Grupit të Kontaktit, por fillon të bashkëpunojë me strukturat e NATO-s. Ajo arrin ta bind NATO-n për dislokimin e forcave të NATO-s në Shqipëri dhe Maqedoni, për të penguar përhapjen e konfliktit” (447). Ndërkaq, iniciativa e ministrit të Jashtëm britanik Robin Kuk dhe ekipit të juristëve të tij lidhur me një rezolutë në Këshill të Sigurimit të OKB-së për bombardimin e Serbisë, u shndërrua në anekdotë spirituoze. Dihet se asnjë rezolutë për bombardimin e Serbisë nuk do ta aprovonte Rusia me të drejtën e vetos. Albright kërkon nga Robin Kuk që të gjejë juristë tjerë, që e këshillojnë për ta gjetur rrugën e të drejtës për bombardim pa kaluar nëpër KS të OKB: “I thashë t’i ndërronte juristët” (448)

Sekretarja e shtetit Alkbright është e bindur se “Millosheviçi nuk qe i zoti ta vlerësonte Kosovën si problem politik e diplomatik, që duhej zgjidhur. Ai pa tek ajo (Kosova, vër. ime) vetëm kundërshtarin që duhej mposhtur” (450). Për këtë konstatim dëshmia më e mirë qenë ofensivat policore dhe ushtarake të verës dhe vjeshtës 1998.

Thellimi i betimit të sekretares Albright

“Më 30 shtator organizuam një takim të Komisionit të Drejtuesve në Dhomën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Para nesh mbi tryezë ishte një fotografi e botuar në numrin e mëngjesit të gazetës New York Times. Në qendër të fotografisë ishte një kufomë, pothuaj skelet, gojëhapur, që dukej sikur po nxirrte një klithmë të fundit të heshtur. Ishte trupi i pakallur i njërës prej 18 grave, fëmijëve dhe pleqve në qytetin Obrinja e Lashtë (fshatin Abri e Poshtme, vër. ime) të Kosovës. Disa ditë më parë policia serbe kishte gjetur 15 veta të fshehur në një grykë dhe i kishte vrarë. Tre burra, përfshirë një plak ulok 95-vjeçar, i kishin djegur të gjallë brenda në shtëpitë e tyre. Në fshatrat përreth ishin gjetur 16 civilë të vrarë me armë zjarri ose të qëlluar për vdekje me mjete të tjera. Kjo ishte përgjigjja që Millosheviçi u jepte Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s. Atë mëngjes, tek shihja fotografinë dhe lexoja artikullin që e shoqëronte, i thashë edhe një herë vetës se isha betuar të mos lejoja të përsëritej kasaphana që kishim përjetuar në Bosnjë. Atje ishin vrarë disa qindra mijë njerëz. Në Kosovë shifra e fundit ishte për disa qindra veta. Për shumicën e njerëzve nuk ishte tepër vonë, por në duhej të tregoheshim të vendosur.”, shkruan sekretarja Albrigt (452 – 453)

Masakra e kryer në Abri të Poshtme është ndër më prekëset për sekretarin amerikane të shtetit. Krimet tjera të kryera në periudhën 1998/1999 janë të përshkruara telegrafikisht, gjë që nuk do të thotë se u zbehet rëndësia ose u firon pesha. Botimi i ngjarjeve në gazetën prestigjioze amerikane, krimeve të policisë dhe ushtrisë serbe mbi popullatën civile në Kosovën e fund-verës dhe vjeshtës 1998, u jep dimension të thellë. Duke parë fotografitë e grave dhe fëmijëve, fotografinë e Diturisë 6 javëshe dhe atë plakut 95 vjeçar, Fazli Ramë Deliu, Zonja Albright e riforcon vendosmërinë dhe betimin e saj që të mos përsëriten përmasat e krimit, siç kishte ndodhur rasti i Bosnjës.

Për të mos hyrë popullata civile e Kosovës në një dimër të vështirë, Albright dhe Holbrooke mbajnë një takim të rëndësishëm në selinë e NATO-s më 8 tetor 1998, në të cilin “argumentuam se Marrëveshja me Millosheviçin mund të arrihej vetëm në rast se NATO-ja do ta miratonte përdorimin e forcës (454).

Zhvillimet në teren diktonin një dinamikë më atë gjallë. Si rezultat i thellimit të krizës së Kosovës, në Londër, në aeroportin Hithrou u mbajt një mbledhje e Grupit të Kontaktit. Kjo mbledhje dallonte nga ato të mëparshmet. U arrit më shumë unifikimi midis evropianëve. Përkundër faktit që ministri i Jashtëm rus Igor Ivanov mbante qëndrim kundër, ky unifikim bëri që ambasadori Hollbrooke me autoritet më të madh të nisej menjëherë në Beograd (454). “Në të gdhirë të 13 tetorit NATO-ja zyrtarisht autorizoi përdorimin e forcës, duke dhënë vetëm katër ditë afat për pranimin ose jo të kushteve” të NATO-s për Millosheviçin. Po atë ditë u arrit Marrëveshja MHollbrooke – Millosheviç, për armëpushim. E mira e kësaj marrëveshje ishte fakti që autorizimi i përdorimit të forcës nga NATO-s nuk u anulua, po u pezullua.(455)

Marrëveshja e 13 tetorit nuk gjeti ndonjë zbatim në terren. Përkundrazi. Shërbimet amerikane të sigurisë ishin në dijeni të planeve të Beogradit për të filluar sulme të reja në pranverë. Madje zhvillimet dinamike nuk pritën as përmirësimin e kushteve klimatike. Albright evidenton vrasjen në kufij të guerilëve shqiptarë më 14 dhjetor 1998, vrasjen në Pejë në kafenenë “Panda” etj.

Sipas kujtimeve të Albright, nën ndikimin e këtyre zhvillimeve më 5 janar 1999 u mblodh Komiteti i Drejtuesve. “Po të mos ndërmerrnim veprime të forta, serbët do të nisnin një ofensivë të re dhe e kaluara e Bosnjës do të bëhej e ardhmja e Kosovës. (457) Në fakt 10 ditë më vonë ndodhi masakra e Reçakut, krimi që zgjoi ndërgjegjen e njerëzimit, përmes të vërtetës që tha ambasadori W. Woker.

Rambuje dhe bombardimet e NATO-s

Albright me detaje shpjegon rolin e saj në Konferencën e Rambujesë, analizon profilet politike të përfaqësuesve shqiptarë në këtë konferencë ndërkombëtare (të Thaçit, Rugovës, Surroit, Demaçit). Finalja e Konferencës i dha pretekst botës perëndimore, NATO-s në krye me SHBA-në që të nis bombardimin e caqeve policore dhe ushtarake në Serbi dhe në Kosovë.

Sekretarja Albright tregon vendosmërinë, mishërimin e përkushtimin e jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës. Rrëfimi më interesant se sa ishte lidhur me çështjen e çlirimit të Kosovës nga makineria e Millesheviçit është ai në Moskë, në lozhën e Teatrit “Bolshoj”, ku jepej shfaqja e operës së Xh. Verdit “Traviata”. Ajo kishte shkuar atje për ta bindur Rusinë se NATO nuk kishte luhatje, se do ta bombardonte Serbinë, por do të ishte mirë që të mos pengohej nga Rusia: “…ndonëse sytë dhe veshët i kisha të përqendruar në skenë, mendja më rrinte te Kosova” (462) – thotë numri një i diplomacisë amerikane, e cila në mënyrë të heshtur nxjerr aprovimin rus për të mos ngritur pluhur gjatë bombardimeve, si mjet i imponimit të paqes.

Fillimi i bombardimeve kishte efektet e veta, por nuk shkonte ashtu siç ishte menduar. Angazhimi maksimal i Albright bëri që të mos gjenden plasaritje në vendet anëtare të NATO-s. Në asnjë çast ajo nuk e linte anash Kosovën, rrjedhën e bombardimeve dhe funksionalizimin e diplomacisë. “Kishte ditë kur me kënaqësi përqendrohesha në pjesë të ndryshme të botës, madje edhe në Lindjen e Mesme, por pjesën më të madhe të kohës gjatë atyre dy muajve qendra e universit tim ishte Kosova.”(480).

Madeleine Albright është pjesë e lirisë së Kosovës. Motoja e sa “Serbët, jashtë, NATO brenda, refugjatët në shtëpi” (470) u bë realitet. Me të drejtë lufta e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga Serbia u quajt lufta e Medleine Albright. Në hierarkinë e të merituarve për çlirimin e Kosovës nga bota Perëndimore nuk di se si duhet filluar me njëshin, dyshin treshin etj. Albright, Blair, Clinton …

Të ngjashme
OpEd • 18 Prill 2024