Sot është mbajt ceremonia e pranim-dorëzimit të automjeteve ushtarake të blinduara, të tipit M1117 ASV (Armored Security Vehicle), donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Osmani i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi i kanë dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës 55 automjete të blinduara ushtarake.
“Sot është ditë e madhe për Kosovën, pasi partneri ynë strategjik SHBA-ja po ua dhuron forcave tona të armatosura 55 automjete ushtarake, në vlerë të madhe, që do të ndihmojnë forcat tona që të përforcojnë mëtej kapacitetet e veta e të thellojnë mëtej ndërveprimin e ushtrisë sonë me ushtrinë aleate. Si komandante supreme e kësaj force jam tepër e lumtur që së bashku me ju dhe gjithë qytetarët e Kosovës po jetësohet ëndrra jonë e përbashkët që ushtria e vendit tonë të krijojë kapacitete operacionale të përafërta me aleatët tanë, e të rreshtohet përkrah tyre në sigurimin e paqes duke marrë edhe vlerësimin e tyre të vazhdueshëm”, ka thënë Osmani.
Gjithashtu, në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe autoritete të larta ushtarake civile vendore dhe ndërkombëtare. /Demokracia.com/