Lajme
Kosova përgatit 1.4 milionë euro për mbrojtje në Arbitrazh, pas padisë nga kompania shqiptare
Demokracia
20:51 | 31 Korrik 2024

Share:

Një kompani nga Shqipëria, e cila operon edhe në Kosovë, ka paditur shtetin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit në Strasburg. Kjo padi është bërë për shkak të shkëputjes së kontratës nga Ministria e Infrastrukturës për ndërtimin e një segmenti rrugor Prishtinë – Mitrovicë. Ministria kishte ndërprerë kontratën duke pretenduar për vonesa në punime, ndërsa kompania ka kundërshtuar këtë vendim, duke kërkuar kompensim për dëmet e pretenduara, raporton Demokracia.com.

Ministria e Drejtësisë pritet të lidh një kontratë me vlerë 1,475,000 euro me kompaninë Squire Patton Boggs (US) LLP për mbrojtjen e saj. Tenderi është realizuar me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë. Fillimisht, Ministria e Drejtësisë kishte ndarë 1.2 milionë euro për këtë rast, por kompania nuk pranoi që kontrata të lidhet për atë shumë. Kësisoj u arrit marrëveshje që vlera e kontratës të jetë 1,475,000 euro.

Në dosjen e tenderit, të cilën e ka parë Demokracia.com, është treguar për çfarë rasti bëhet fjalë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka pranuar lëndën nga ICC, rasti nr. 28684/HBH, PE-VLA-KU SH.P.K. me pretendimin për kompensimin e dëmit si pasojë e ndërprerjes së kontratës për ndërtimin e rrugës”, thuhet aty, pa dhënë më shumë detaje.

Kompania në fjalë kishte nisur punimet për ndërtimin e një segmenti rrugor në rrugën Nacionale N2 disa vite më parë, por nuk kishte arritur t’i përfundonte me kohë. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, shkëputja e kontratës ishte bërë për shkak të vonesave në punime. Kompania, nga ana tjetër, fajësonte ministrinë për vonesa në shpronësime.

Pos vonesave në kryerjen e punimeve, zyrtarët e ministrisë kishin përmendur si arsye për shkëputjen e kontratës edhe kontraktimin e operatorëve të paligjshëm.

Sipas kompanisë, nuk ka pasur operatorë të paligjshëm dhe ata u janë përmbajtur kushteve kontraktuale.

Në shkurt të këtij viti, ministria ka nënshkruar një kontratë të re me vlerë rreth 25 milionë euro me operatorët Eskavatori LLC dhe Hidrosroi Sofia. Rruga, e cila do të ketë gjatësi 9.78 kilometra dhe katër korsi, do të kushtojë rreth 30 milionë euro. Procedurat e prokurimit ishte kryer në bashkëpunim me Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim, që janë edhe financues të projektit.

Kosova ka humbur disa raste në arbitrazh, i fundit ndaj ContourGlobal për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme
Lajme • 24 Prill 2025